Sezonin e shkuar ishte një nga kartat më të forta të Emanuel Egbo dhe me asistet e golat i tij i hapi rrugën bardhebluve për fitimin e titullit. Fjala është për Majkëll Ngo, që pas largimit nga Tirana ka lënë një boshllëk në majën e sulmit. Zërat për një rikthim janë shtuar së tepërmi pas rikthimit të tij në kryeqytet.
Madje edhe vetë lojtari anglez e ka mirëpritur një ide të tillë, por vetëm me një kusht, atë të shlyerjes së të gjitha detyrimeve të prapambetura financiare. Diçka të tillë e thekson sërish në një prononcim për “Report TV”, ku shprehet se presidenti Halili gënjen në televizione mbi pagat e tij, pasi ato ende nuk janë derdhur në llogarinë e tij bankare.
“Nëse më paguajnë pagat e prapambetura atëherë do të flasim për rikthimin. Edhe nëse ata thonë se e kanë bërë diçka të tillë le ta vërtetojnë me dokumenta ku të jetë edhe firma ime. Jam i sigurtë se nuk kanë ku ta gjejnë. Presidenti i klubit del dhe gënjen në televizione”, ka thënë Majkëll Ngo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/