Njeriu është në një turravrap të vazhdueshëm në jetën e tij. Ndonjëherë kërkon të kalojë dy shkallë njëherësh, ndonjëherë i rrëshket këmba në të parën e detyrohet ta nisë nga e para, e ndonjëherë maja është shumë e mprehtë, e sheh veten nga suksesi te toka e pisët. Në Shqipëri, ne kemi mësuar se ndonjëherë fati përcaktohet që në djep, ashtu si dhe partneri i jetës. Në futboll është thuajse e njëjta filozofi. Nëse ke qenë një lojtar i madh, me shumë mundësi do të jesh dhe trajner i tillë, nëse ke luajtur në nivele mesatare me shumë mundësi do të trajnosh në nivele të tilla. Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, është shembulli ideal i kësaj fjalie…
Një futbollist mesatar, pa kaluar kurrë mbi këtë nivel, pasi nuk po flasim për “yll”. Një karrierë e kaluar në Angli me ekipe të një niveli normal si Uigan, Çester, Suensea etj. Karriera si trajner nuk mund të ndryshonte, nisi si e tillë. E filloi me ekipin e Suenseas. Një ambient që e njihte mirë dhe me një mbështetje të madhe nga tifozët. Për herë të parë pas 24 vitesh, arriti të ngjiste Suensan në Championship, liga e dytë angleze. Përralla e spanjollit nisi bukur…
Ai bëri hapin tjetër duke firmosur në një tjetër klub që kishte luajtur vetë, Uigan. Ekip modest me buxhet të vogël për kushtet e Premier Leagues. Martinez bëri një punë të mirë, pasi arriti të fitonte Kupën FA me ekipin e Uiganit. Ai mposhti në finale me rezultatin 1-0 Mançester Sitin. Megjithatë, jo çdo përrallë ka fund të lumtur. Ekipi anglez ra nga Premier League po atë sezon, pas humbjes me Arsenalin në shtëpi me rezultatin 1-4. Kapitull i ri për klubin, aventurë e re për Martinezin.
Evertoni ishte sfida më e madhe e karrierës së tij. U prezantua me premtimin se do të arrinte Champions Leaguen, por nuk ia doli mbanë. Në sezonin e tij të parë 2013-14 meritoi lavdërime, pasi përfundoi në vendin e 5-të dhe theu një sërë rekordesh. Në sezonin pasardhës gjithçka shkoi keq për spanjollin që u largua si dështak nga klubi dhe me “luftë”. Tifozët protestuan kundër tij dhe rezultatet nuk i kishte në favor. Klubi e shkarkoi duke e cilësuar si një “gabim”.
Belgjika e thirri pas largimit të Mark Vilmots. Spanjolli kishte për detyrë të menaxhonte si duhet një brez të artë dhe të rriste besimin te ta. Numri një i stolit ia doli mbanë mjaft mirë, pasi e kualifikoi Belgjikën për Botëror. E dërgoi deri në gjysmëfinale me një futboll të bukur dhe arriti të dilte në vendin e 3-të. Qershia mbi tortë? Dy fitore kundër Anglisë. Fillimisht në grupe me golin e Adnan Januzajt, një “bast” i fituar nga 45-vjeçari dhe para pak orësh për vendin e 3-të me rezultatin 2-0. Një hakmarrje e ëmbël për Martinezin që e ka shijuar pafund. Trajneri i ri që po ngjit suksesshëm hapat drejt majes. Ku i dihet, Martinezi mund të jetë një tjetër përjashtim në botën e futbollit duke dalë kundër fatit të tij!