Një ndër emrat më të njohur në Serbi dhe që mediat serbe e kërkojnë rregullisht, kur bëhet fjalë për përballje me ekipe shqiptare, është Ivan Gvozdenoviç, futbollist me emër si në Serbi, ashtu edhe në Shqipëri, ndërsa vitet e fundit në rolin e zëvendëstrajnerit, te Tirana e tashmë te Kukësi.
Duke folur për mediat serbe, Gvozdenoviç ka komentuar sfidën mes Skënderbeut e Partizanit të Beogradit, por ka evituar deklaratat e forta dhe duke refuzuar të marrë krah.
“E vlerësoj Partizanin si një ish-rival i madh i imi. Është klub serb, ndër të tjera. E respektoj edhe Skënderbeun, kam kaluar 3 vite të mrekullueshme aty, u shpalla kampion 3 herë, kam marrëdhënie të mira me presidentin Takaj dhe kam ruajtur kontaktet me 8 ish-shokë skuadre. Fitoftë më i mirë dhe për sa më përket mua personalisht, do të shoh Crvena Zvezdën kundër Arsenalit”, tha ish-mbrojtësi i Crvena Zvezdës, i cili këmbëngul se është i painteresuar se kush do të fitojë: “Do të jem neutral, nuk më intereson kush fiton dhe nuk bëj tifozllëk”.
Gvozdenoviç flet edhe për Skënderbeun: “Skuadra është ndërtuar në mënyrë mjeshtërore, për 5 vite lojtarët luajnë së bashku. Njihen shumë mirë me njëri-tjetrin, kanë lidhje shumë të fortë. Nuk ishte thjesht fat kualifikimi ndaj Dinamos së Zagrebit, përkundrazi. Trajneri Daja ka në dispozicion dy skuadra dhe bën rotacion me sukses, duke mos humbur në cilësi. Kam punuar për një vit te Tirana me të, është trajner i zoti, punëtor dhe me mentalitet sulmues. Zakonisht luan me 4-3-3, ndërsa në Europa League përdor më shumë 4-2-1-3 dhe 4-1-4-1”.
Dobësitë e Skënderbeut? “Prapavija është paksa e ngadaltë, pa shumë vrull. Gjithsesi, kam kohë që nuk e shoh Partizanin dhe do të ishte budallallëk që të jepja ndonjë këshillë për trajnerin Xhukiç”.