Sulmuesi i Kukësit: Pretendoj që të fitoj ‘Këpucën e Artë’, por objektivat e klubit janë prioritet. E ardhmja në dorën e Kukësit, që po di të menaxhojë lojtarët me perspektivë si unë dhe Ethemi
Sindrit Guri mund të konsiderohet njeriu i momentit te Kukësi. Pas largimit të Elis Bakajt, përgjegjësia e sulmit ka rënë mbi supet e shkodranit. Vetë 24-vjeçari ka folur për “Telesport.al”, ku ka komentua sezonin me Kukësin, por dhe të ardhmen. Autori i 11 golave këtë edicion nuk ka nguruar për të treguar dhe preferencat për kampionatet ku ka dëshirë që të luaj. Shkodrani e pranon se e priste një ftesë nga Panuçi, por në këtë pikë ai e di se në të ardhmen, nëse vijon me këtë ritëm, ftesa do të vijë, ndaj nuk ndjehet i zhgënjyer.
SHPËRTHIMI KËTË SEZON – “Nuk është e thënë që një futbollist duhet që të shpërthejë në moshën 18-vjeçare. Dikush shpërthen më herët e dikush më vonë. Unë kam qenë pjesë e Vllaznisë në fillim por nuk kam pasur hapësira. Kukësi më dha mundësinë dhe unë kam bërë më të mirën e besoj se e kam shpërblyer besimin që më kanë dhënë”.
KËPUCA E ARTË – “Normalisht e synoj këpucën e artë. Kam shënuar 11 gola, ndërsa vendi i parë ka 12 gola. Do tentoj që të jem shënuesi më i mirë, por mbi të gjitha janë objektivat e skuadrës. Nuk do kërkoj me çdo kusht që të dal shënuesi më i mirë, pasi më tepër do mendoj për objektivat e skuadrës. Ai është parimi kryesor”.
AVENTURA SI KUKSIAN – “Unë u afrova te Kukësi një sezon më parë. Po merrja minuta avash-avash. Vjet kishim një skuadër shumë të mirë dhe dolëm edhe kampion. Këtë edicion ishte një mënyrë tjetër menaxhimi, për t’u dhënë hapësirë lojtarëve të rinj, që kanë perspektivë. Mendoj se e kanë arritur, si me mua ashtu dhe me lojtarë të tjerë, si Ethemi që është me perspektivë. Besoj se shumë shpejt do të bëjë diferencën në Superiore”.
KOMBËTARJA – “Trajneri i Kombëtares i ka idetë e qarta dhe synon të afrojë lojtarët më në formë. Është zgjedhja e tij dhe mendoj se bën zgjedhjet e duhura. Dëshira ishte e madhe, unë jam gjithnjë gati, por nuk është gjithçka në dorën time. Unë do të bëjë më të mirën këtu ku jam. Shohim përpara. Nuk mund të them se jam i zhgënjyer, por dëshira ishte e madhe. E pres në të ardhmen një ftesë, por unë do vijoj që të punoj me kokën ulur. Ndeshje pas ndeshjes të bëj sa më mirë e mendoj një ftesë”.
E ARDHMJA – “Për momentin jam i fokusuar te Kukësi dhe objektivat që kemi si skuadër. Ata që po merren me këtë pjesë po bëjnë një punë të mirë. Klubi i Kukësit po bën një punë të mirë në aspektin e menaxhimit, pasi po ka mjaft oferta për mua. Mendoj se klubi do e zgjidhë këtë pjesën e kartonit. Unë duhet të bëj më të mirën në fushë e të kem sukses. Pjesa tjetër i takon Kukësit”.
PREFERNCAT – “Do preferoja të luaja në Europë. Kam dëshirë që të rritem akoma më shumë. Gjithkush ka nevojë për përmirësim, po ashtu dhe unë. Do më pëlqente të luaja në Belgjikë, Holandë pse jo dhe në Gjermani.
MUNDËSIA NË SUPERIORE – “Nuk mendoj asnjë ekip tjetër veç Kukësit dhe Vllaznisë. Ose te Vllaznia ose te Kukësi, por jam plotësisht i fokusuar te Kukësi”.
ÇELËS I SUKSESIT – “Janë shumë faktor që po arrij të shënoj rregullisht. Kam luajtur në shumë pozicione. E kam nisur sulmues, kam kaluar mesfushor krahu. Edhe gjatë ndeshjeve kam ndryshuar disa herë pozicion. Tani jam i fokusuar vetëm si sulmues kryesor. Pas ikjes së Bakajt, kam ngelur vetëm unë pikë referimi për skuadrën. Normalisht që me ndihmon shumë dhe trajneri Pakult që më flet e më këshillon. Më këshillon të ndahem sa më shpejt me topin dhe në 20 metrat e fundit të bëj çfarë të mundem vetë. Më tepër flasim për aspektin psikologjik. Me trajnerin Pakult kemi pasur relata të mira dhe më ka ndihmuar shumë psikologjikisht”.
KUNDËRSHTARËT – “Nëse luajmë si në ndeshjet e fundit, me përjashtim të takimit me Luftëtarin, kemi prodhuar futboll dhe kemi marrë dhe rezultate. Me përmirësimin që ka pasur Partizani është më afër me ne se skuadrat e tjera”.
VLLAZNIA – “Unë jam lojtar profesionist e paguhem për punën time. Jam këtu që të shënoj sa më tepër për skuadrën që përfaqësoj. Nëse nuk respekton punën tënde nuk të respekton as ai tjetri. Unë bëj punën time dhe besoj se më respektojnë edhe tifozët në Shkodër. Unë nuk kam festuar asnjëherë sa herë i kam shënuar Vllaznisë”.