Në Laç fitoi Laçi, u mund Partizani dhe triumfuan Guerrilsat. Në futbollin tonë të helmuar nga polemikat e të braktisur nga tifozët, ultrasit e kuq shkuan të shumtë në Laç, mbushën tribunën e tyre dhe ushtuan për 90 minuta, edhe pas golit të pësuar. Është e vështirë të shohësh skena të tilla në Shqipëri, ku një stadium duket sikur i përket tifozerisë udhëtuese.
E megjithatë, Partizani i fushës ishte mediokër. Starova fajësoi edhe erën, por ndoshta duhej ta thoshte troç: lodra është prishur, makina e kuqe është me goma të shfryra dhe për këtë nuk ia kanë fajin armiqtë e jashtëm, alibia e zakonshme e viteve të fundit.
Këtë e dinë mirë Guerrilsat, që tashmë nuk lodhen më me statuse të gjata e kërkesa për klubin e lojtarët. Një mesazh i shkurtër prej tyre pas ndeshjes: “Jeni të gjithë surrogato!”.
Shkurt e qartë: Partizani është një kopje e shëmtuar, një mall kinez, që nuk ka lidhje me Partizanin e vërtetë qa duan tifozët e kuq. Derisa të ndryshojë era, ndoshta do jetë shumë vonë, edhe pse Guerrilsat nuk e tradhtojnë kurrë fanellën dhe emrin Partizan.