Pep Guardiola konsiderohet si një nga trajnerët më të mirë në botë, duke fituar një sërë trofesh e duke ngritur gjithnjë nivelin e lojës në skuadrat që ka drejtuar. Pas “tiki-takas” së famshme që solli te Barcelona, trajneri spanjoll po revolucionarizon për të dytën herë botën e futbollit.
Guardiola po zbaton një skemë të veçantë te Manchester City-n, e cila po korr sukses në Premier League. Në momentin që “qytetarët” kanë topin në zotërim, formacioni kalon një një 2-5-3, ku mbrojtësat e krahut futen në qendër ndërsa sulmuesit anësorë hapen gjerësisht në krahë.
“Idealisht, mesi duhet të jetë i hapur, në mënyrë që mbrojtësit të hyjnë në mes dhe të tërheqin krahët anash. Nëse arrini ta kaloni topin në krah, do të thotë që mesfusha të anashkalohet menjëherë, dhe nëse e humbni topin, mbrojtësit mund të ngushtojnë menjëherë hapësirën. Krahu ynë tërhiqet anash dhe tërheq një kundërshtar, nëse nuk e ndjekin do të thotë që ke një njeri të lirë dhe kështu me radhë gjatë gjithë kohës”, shpjegon Pep Guardiola./Halit Delibashi-Sport Ekspres/