Shqipëria U-21 mori tre pikë mjaft të rëndësishme ditën e djeshme, teksa djemtë e drejtuar nga Alban Bushi mposhtën me shifrat 3-1 Andorrën. Kundërshtari ishte mjaft i kalueshëm në letër, por skuadrës tonë i duhej të djersitej për të përmbysur rezultatin e pjesës së parë (0-1).
Me këtë fitore, Shqipëria U-21 renditet e treta, 1 pikë larg Austrisë U-21, të cilën arritëm ta mundim më rezultatin e thellë 1-5 një ndeshje më parë. Megjithatë gjërat janë akoma të komplikuara, pasi pavarësisht humbjes së sotme, austriakët kanë një ndeshje më shumë për të luajtur, e cila në rast fitoreje do t’i shkëpuste me 4 pikë, duke e bërë kualifikimin të pamundur.
Por ndeshjen e ardhshme, Austria U-21 do ta luajë përballë Kosovës, në stadiumin Fadil Vokrri. Në këtë sfidë, skuadra tjetër shqiptare do të bëjë të pamundurën për t’i sjellë disfatën austriakëve, në mënyrë që vëllezërit e tyre të luftojnë deri në fund për një biletë në Evropian. Një gjë e tillë do të sillte gëzim si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/