Zlatan Ibrahimoviç është gjithmonë një person që kërkon të veçantën dhe mbërritja e fundit në Sanremo ishte një histori më vete. Në mes të trafikut të madh, suedezi do të ndalonte një motoçikletë që e dërgoi në Sanremo. Ndërkohë Franco Nocera, personi fatlum që ishte me Ibrahimoviç, shpjegoi gjithë historinë.
“Kishte trafik të madh dhe dola me motor. Po kthehesha në shtëpi te zona e Borgio Verezzi dhe në trafik shikoj një furgon të zi me dy persona, ku një prej tyre ngjasonte me Ibrahimovic. Shoferi uli xhamin dhe më pyeti nëse mund ta çoja atë në Sanremo. Sigurisht që i thashë po. Kisha një helmetë tjetër poshtë ulëses dhe telefonova gruan për t’i thënë se jam rrugës për në Sanremo me Zlatanin.
Ajo nuk më besoi. Në të vërtetë kurrë nuk kisha vozitur në autostradë me motor, por fati ishte me ne sepse nuk kishte shumë makina në Albenga e gjithçka ishte e thjeshtë.
Ibrahimovic më kërkoi ta ngiste ai, por unë refuzova. Ai është një person shumë i mirë e më pyeti se si mund të më falenderonte. I thashë të më dërgonte një fanellë të tij, pasi nuk isha në gjendje të bëja as një fotografi me të sepse kur arritëm ai hyri direkt Sanremo. Më në fund gruaja më besoi dhe të paktën martesa ime është e sigurt”, tha motoçiklisti. /Sport Ekspres/