Gripshi i tepërt në Korçë, Teuta e Laçi duel për ta huazuar

Mesfushori nuk po aktivizohet te Skënderbeu dhe një rikthim në Durrës nuk përjashtohet. Edhe kurbinasit e pëlqejnë 20-vjeçarin

Në Laç janë me pushime, por vetëm lojtarët, pasi drejtuesit po punojnë për të përforcuar ekipin për pjesën e dytë të sezonit. Në mbrojtje shihet si emergjente të ndërhyhet dhe po kërkohen dy lojtarë për të plotësuar këtë repart. Një mbrojtës i djathtë dhe një që luan në qendër po tentohet të afrohen dhe do bëhet gjithçka që merkatoja të mbyllet sa më shpejt. Bruno Lulaj është një nga objektivat, por mbrojtësi që sezonin e shkuar u aktivizua me kurbinasit është nën kontratë me Skënderbeun dhe të ardhmen e tij e kanë në dorë korçarët. Përveç tij, një tjetër emër që lakohet është ai i mesfushorit Nazmi Grapshi, sikurse edhe raportohet në “Supersport”. 20-vjeçari në Korçë ka pasur shumë pak hapësira, teksa është aktivizuar vetëm në katër ndeshje si zëvendësues, ndërkohë që disa herë është detyruar t’i ndjekë edhe ndeshjet nga tribuna. E njëjta situatë ka qenë edhe në pjesën e dytë të sezonit të shkuar, kur Gripshi u transferua nga Teuta te Skënderbeu, teksa në asnjë takim nuk luajti si titullar.
TEUTA
Në pjesën e parë të sezonit 2016-2017 Gripshi bëri paraqitje mjaft të mira me Teutën, teksa zbriti në fushën e lojës në 19 takime, 15 prej tyre si titullar. Mesfushori ia doli të shënonte edhe një gol dhe ishte një nga zbulimet e kampionatit. Kjo nxiti Skënderbeun që ta transferonte Gripshin. Korçarët paguan për të, por ende një pjesë të kartonit e ka Teuta. Në verë u tentua huazimi i tij nga durrsakët, por në fund ishte iraniani Reza Karimi ai që mori rrugën drejt qytetit bregdetar. Në Durrës ka sërish interes për Gripshin dhe nëse trajneri Daja do japë “OK”-in atëherë Teuta është më e favorizuar se kurbinasit, edhe për vetën faktin që zotëron një pjesë të kartonit të lojtarit dhe i intereson drejtpërdrejt rritja e mesfushorit. Më parë për Gripshin ka pasur zëra edhe për një kalim te Kamza. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë, por edhe për vetë korçarët është e rëndësishme që të luajë dhe për momentin te Skënderbeu është mjaft e vështirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *