Shqipëria U-21 ka arritur që të fitojë në shifrat 1-2 ndaj Zvicrës U-21. Në dy vitet e fundit, helvetët kishin humbur vetëm përballë Italisë, Francës dhe Spanjës. Për këtë arsye kjo fitore është për t’u duartrokitur nga kuqezinjtë e Bushit. Adrion Pajaziti ishte ylli i takimit me dy gola të shënuara, por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë edhe portierin Klidman Lilo.
Nëse dje morëm tre pikët, ishte edhe për shkak të tij. Kjo pasi në minutën e 85, portieri i Panathinaikosit priti penalltinë duke i siguruar 3 pikët Shqipërisë. Më shumë sesa penalltia e pritur, ajo që të mbush zemrën është mënyra sesi kanë festuar lojtarët tanë duke treguar gjithë grintën dhe shpirtin, teksa për një moment lumturia e tyre të jep përshtypjen se Shqipëria U-21 ka fituar Europianin. Kjo është mënyra dhe qasja sesi ne duhet të luajmë kur veshim fanellën e Kombëtares. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/