Sulmuesi, që golin e fundit e ka shënuar më 1 shkurtin e shkuar, foli edhe për aktivizimin e tij si titullar
Grent Halili është në “qiellin e shtatë”. Sulmuesi i bardhebluve i kthyer dje titullar te Tirana ka arritur të shënojë gol. Një gol që hapi rrugën e fitores së bardhebluve, kundër Apolonisë. Pas ndeshjes ai ka një dedikim të veçantë. “Në intervistat e mia gjithmonë kam thënë se golat ia kam dedikuar presidentit. Këtë radhë, më lejoni, që golin t’ia dedikoj babait tim. Ky goli ishte një sinjal për t’i thënë tim eti, se si ai kontribuon jashtë fushe për Tiranën, unë kontribuoj brenda fushe me golat e shënuar dhe lojën e mirë, për t’i ardhur në ndihmë ekipit tonë”, është shprehur në fillim G.Halili.
Sulmuesi që golin e fundit e ka shënuar më 1 shkurtin e shkuar foli edhe për aktivizimin e tij si titullar. “Trajneri ka parë stërvitjen. Unë kam dhënë maksimumin në stërvitje si çdo lojtar tjetër. Dhe ai do të na japë atë që meritojmë. Humbja me Bylisin ishte një gabim. Sot e treguam dhe nuk do të përsëritet më. Ndryshimet i takojnë stafit teknik. Ne thjesht duhet të japim maksimumin për Tiranën. Sa për pozicionin ku luaj, mund të aktivizohem si majtas e djathtas, por krahu i djathtë funksionoi më mirë”, është shprehur Grenti që pranoi se kishte marrë pa fund urime. – “Urimet? Kam marrë. Me babin nuk kam folur ende. Thjesht do të më urojë. Unë detyrën time kam bërë në fushë dhe si president thjesht do të më japë rrogën. Si prind, kushdo do të lumturohej për fëmijën që shënon gol, apo bën diçka të veçantë”, mbylli sulmuesi i bardhebluve.