Tirana fitoi 3-0 miqësoren me Flamurtarin e Prishtinës, ndërkohë që në fushën e blertë pati disa episode pikante që shkaktuan madje edhe ilaritet. Nuk mund të mungonte edhe nervozizmi, sidomos pas një ndërhyrjeje të bërë. Blazhevski e pësoi disa herë, por ishte Imami ai të cilit nuk i mbajtën nervat.
Ishte e pamundur të kuptohej nga tribuna se çfarë tha ish-lojtari i Kukësit, por sigurisht nuk i ka folur me mirësjellje kundërshtarit. I menjëhershëm reagimi i Bedri Grecës, i cili shkoi menjëherë te Imami dhe i kërkoi të mos fliste më, madje edhe e goditi pak me këmbë shokun e tij të skuadrës.
Me këtë veprim shumëkush mund të ketë menduar se Greca ka ndryshuar dhe nuk është më ai nevriku i zakonshëm. Gjithsesi ka gabuar, pasi në fund të pjesës së parë, pas një pasimi të marrë doli i vetëm me portierin dhe pasi pa anësorin që kishte ngritur flamurin goditi plot nervozizëm. Kryesori Klajdi Kola ironizoi duke duartrokitur veprimin e Grecës.
Në pjesën e dytë ishte Vincent Atinga ai që në një moment humbi ekuilibrin, por si sportist arriti të bënte një kapërcim dhe të çohej në këmbë. Në shkallët e stadiumit pati ilaritet.
Blazhevski ishte protagonist me tentativat e tij për gol. Maqedonasi arriti që me një nga goditjet e tij të pasakta ta dërgonte topin jashtë rrethimit të stadiumit, në krahun e portës jugore.