Sot në Kategorinë e Dytë shqiptare (po, luhet edhe aty futboll), duhej të luhej ndeshja mes Kevitanit dhe Gramshit.
Vendasit, që në fakt nuk kanë shtëpi dhe detyrohen t’i luajnë ndeshjet te “Skënder Halili” në Tiranë, i kanë humbur dy ndeshjet e para në kampionat dhe nuk është se kanë synime madhore, ndaj duan thjesht të luajnë futboll e të zbaviten, ndërkohë që presidenti Artan Singa financon gjithçka nga xhepi i vet, pa asnjë mbështetje tjetër.
Megjithatë, sot edhe kënaqësia e 90 minutave futboll në një stadium të shkretë nuk u është dhënë lojtarëve, sepse ndeshja nuk u luajt. Zyrtarët e ndeshjes kanë vendosur të mos lejojnë fillimin e takimit, duke fajësuar Kevitanin për dështim të përmbushjes së masave organizative.
Në fakt, Kevitani proteston ashpër dhe zyrtari Dali Faruku për “Sport Ekspres” shpjegon: “Ndeshja duhej të niste në orën 16.00, por punëtorët e Skënder Halilit nuk erdhën në kohë dhe u paraqitën me vonesë në stadium, duke bërë që hapja e dyerve për futbollistët dhe arbitrat të bëhej me vonesë. Pa shkuar ora 16.30 ishte gjithçka gati dhe lojtarët po kryenin nxehjen, por arbitrat nuk e bënë një gjë të tillë dhe pas konsultimit me delegatin Alban Xhema na u tha që nuk mund të luhej, edhe për faktin se do errësohej. Nuk është normale, sepse në ato fusha stërvitet edhe Tirana dhe ka ndriçim, mund të luhet edhe natën nëse është nevoja. Dyshojmë se gjithçka është e qëllimshme, duket një komplot për të mos luajtur fare, me Gramshin që tashmë kërkon fitoren në tavolinë. Kemi parë edhe drejtues të Gramshit me arbitrat dhe kjo është një lojë e pistë, nuk dimë si ta quajmë tjetër”.
Edhe presidenti Artan Singa është i irrituar: “Nuk e kuptoj, pse duhen ndëshkuar këta djem, që luajnë për qejf, nuk është se po u kërkoj ngjitjen në Kategorinë e Parë. Nuk e kuptoj as pse persona të veçantë në FSHF po na luftojnë, ndoshta duke na parë si klub të vogël e pa asnjë mbështetje. Unë paguaj prej vitesh për gjitchcka, aq sa mundem për të mbajtur gjallë një klub privat që nuk ka asnjë financim tjetër, por kjo poshtërsi tregon qartë se nuk më duan fare në futboll, edhe pse sakrifikoj paratë e mia për gjithçka, nga pagesat e lojtarëve deri te pagesa e fushës për të luajtur”.