E ardhmja e Etrit Berishës pritet të jetë larg Spalit, me të cilët luan aktualisht. Klubi italian mori shërbimet e portierit shqiptar, duke e huazuar këtë të fundit për një sezon verën e shkuar. Megjithatë kontrata mes palëve përfundon në fund të këtij sezoni dhe Spali me shumë mundësi nuk do të ketë një tjetër firmë mes tyre. Gjasat janë që klubi italian të luajë në Serinë B sezonin e ardhshëm si dhe kriza nga Covid-19 mund të bëjë që të mos shpenzojë për shërbimet e Berishës.
Kështu gardiani shqiptar do të kthehet sërish në Bergamo për të veshur fanellën e Atalantës. E kësaj here mund të mbajë veshur atë të titullarit. Kambana angleze kanë nisur të bien për Golinin, teksa Totenhemi i Murinjos ka përveshur mëngët për të sjellë në Londër pasardhësin e Loris. Prandaj Golini duket alternativa e duhur për të, gjë që do të bënte t’i hapej rruga në portën e Atalantës, aty ku Gasperini do i japë një tjetër shans për të tregaur veten, duke qenë se me Spalin ka zhvilluar një sezon tejet pozitiv./Halit Delibashi-Sport Ekspres/