Dijar Nikqi, prej kohësh 18-vjeçari ëndrronte se kur do të vinte dita që të shndërrohej në heroin e Tiranës dhe kjo ndodhi dje. Madje edhe më bukur se Nikqi do ta kishte imagjinuar, duke shënuar golin e fitores ndaj Kastriotit në minutën e 100.
Ishte rasti i fundit dhe aksioni i fundit ku bardheblutë po kërkonin me çdo kusht fitoren. Ky realizim i Nikqit ka peshë të madhe, madje të njëjtën vlerë si mund të shënohej edhe në derbin me Partizanin.
Kjo pasi Cela ka ardhur në krye të Kastriotit dhe krutanët janë rikthyer si në një sezon më parë. Tërësisht të papërtypshëm për ekipet e mëdha të Superiores duke qenë të rrezikshëm në kundërsulm, me agresivitet të lartë dhe shpeshherë duke luajtur me nervat e lojtarëve kundërshtarë.
Tashmë është e qartë se pretendentet e tjera që kërkojnë titullin kampion, jo vetëm që do ta kenë të vështirë me këtë stil loje të Kastriotit, por mund të lënë edhe pikë kundër tyre. Pra Nikqi jo vetëm që i shton 3 pikë Tiranës në llogari, por nga ana tjetër i rrit presionin Kastriotit që në ndeshjet e ardhshme të luajë si të ishte një finale për ta. /Sport Ekspres/