Gledi Mici shkëlqen në Europë: Tani dua titullin dhe… fluturimin

“Kulmin në Shqipëri e kam arritur, nuk ka mbi Skënderbeun. Europa të pjek si futbollist, luhet me rivalë super e stadiume plot. Të ardhmen e vendos klubi, por dua të provohem jashtë”

Viti 2017 ka qenë viti i Skënderbeut, pasi klubi korçar ka kaluar 4 ture në Europa League, aty ku në grupe deri tani ka marrë 5 pikë dhe ka humbur vetëm 2 nga 5 ndeshjet e luajtura. Bilanc fenomenal për një futboll që deri para pak vitesh konsiderohej mediokër, i paaftë të prodhonte skuadra fituese në Europë e lojtarë të cilët kishin ndonjë vlerë në treg. Pak nga pak gjithçka ka ndryshuar dhe meritë të jashtëzakonshme ka klubi korçar, që mbi të gjitha ka ndryshuar mentalitetin dhe tashmë merr pjesë për herë të dytë në tre vitet e fundit në grupet e kompeticionit të dytë për nga rëndësia në kontinent. Lojtarë si Shehi, Jashanica, Radas, Vangjeli, Lilaj e Osmani tashmë janë mësuar me atmosferën e ndeshjeve ndërkombëtare, por një brez i ri lojtarësh u është bashkuar dhe ky është sekreti i Skënderbeut, që arrin të rinovojë skuadrën pa humbur në cilësi. Një ndër të rinjtë në ekip është edhe Gledi Mici, i cili në gusht të vitit 2016 la Kukësin për Skënderbeun, duke bërë zgjedhjen perfekte, sepse në pak më shumë se një vit është kthyer në pikë kyçe në krahun e majtë, aq sa duket sikur ka shumë vite në Korçë. Mbrojtësi është kthyer në “korçar” dhe tashmë është ambientuar aq mirë, saqë në debutimin e tij në fazën e grupeve në Europa League ka shkëlqyer, duke qenë në këtë moment lojtari më në formë, sipas UEFA-s. Në merkato sa vijnë e shtohen zërat për transferim jashtë, por Mici ka ende peng fitimin e titullit, mision që nuk e ka realizuar ende në karrierë. Për këto dhe të tjera 26-vjeçari flet në këtë intervistë…

Mici, sipas UEFA-s je lojtari më në formë i Skënderbeut, në bazë të paraqitjeve në grupe.

“Të them të drejtën, më bëhet qejfi, por edhe më befason ky fakt, sepse nuk e dija realisht që UEFA kryente një analizë të tillë. Në fakt, e gjithë skuadra ka qenë në formë të shkëlqyer dhe nuk më duket se jam më në formë se të tjerët, duke parë si po luajmë. Është lojë grupi, jemi duke u paraqitur mjaft mirë pikërisht për shkak të bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi, nuk është se një lojtar po spikat dhe po merr përsipër më shumë sesa të tjerët. Gjithsesi, më vjen mirë kur shoh që në bazë të statistikave rezulton që po bëj gjëra të mira në fushë, do të thotë që po e meritoj hapësirën që më jepet dhe po justifikoj besimin e trajnerit dhe të klubit”.

E kishe menduar se ky sezon do të ishte i tillë, në kampionat dhe sidomos në Europë?

“Është sezoni që kishim planifikuar. Patëm një zhgënjim të madh sezonin e shkuar, duke e humbur titullin në fund, ndaj klubi vendosi si synim kthimin në majë, kombinuar me një ecuri sa më të mirë në Europë. Duke qenë se Skënderbeu i kishte provuar grupet, nuk ishte më tabu tema e grupeve dhe klubi e synonte. Nuk është e pamundur, realisht, nëse stërvitesh mirë, mendon vetëm për futboll, je i qetë jashtë fushe dhe ke të garantuar financat dhe mbështetjen e klubit. Pastaj, kur një klub nuk bën revolucion çdo verë, por afron lojtarë cilësorë e me eksperiencë, është normale që herët a vonë të vijnë suksese të tilla”.

Po flet si veteran, edhe pse nuk je i tillë te Skënderbeu.

“E vërtetë, kam gjetur një grup lojtarësh ekspertë te Skënderbeu, ndërsa për mua është hera e parë që provoj të luajturit në grupe. Ndjesi e çuditshme, kur siguron kualifikimin në turin play-off, sepse ture kualifikuese kisha luajtur edhe më parë, por më pas, kur kaluam dhe prisnim shortin e grupeve, ishte një moment vërtet i veçantë, sepse në Shqipëri nuk është se jemi mësuar me gjëra të tilla dhe përveç Skënderbeut asnjë klub nuk ka mundur të shkojë kaq larg”.

Si ka qenë impakti, duke pasur përballë emra të frikshëm, nga Dinamo Zagrebi në play-off e deri te Partizani i Beogradit e Dinamo e Kievit në grup?

“E lehtë nuk ishte. Janë ndeshje mjaft të vështira, me ritëm shumë të lartë, por për futbollistë që nuk i luajnë çdo vit ndeshje të tilla, janë ndeshje që priten me emocion të madh, sepse nga futbolli këto janë ndeshjet që mbahen mend. Është e rrallë të luash ndeshje të këtij niveli, në stadiume me 30 mijë tifozë e lart, me rivalë mjaft cilësorë. Një herë e një kohë i shihnim në televizion dhe na dukeshin botë tjetër, sikur nuk kishin fare lidhje me futbollin shqiptar, ndërsa tani po i luajmë vetë. Ndjesi e veçantë”.

Jeni eliminuar, në mënyrë shumë dinjitoze, por edhe me pengje.

“Po, normale që të kemi pengje, sidomos ndeshjen me Jang Bojs. Ishim në avantazh, luajtëm shumë mirë dhe nuk arritëm të fitonim. Një leksion për ne, në nivele të tilla mëson shumë gjëra, gabimet vlejnë shumë për të ardhmen, sepse eksperienca në ndeshje të tilla fitohet. Nëse para dy vitesh paraqitja në grupe ishte më e ndrojtur, tani Skënderbeu është rritur shumë dhe në të ardhmen këto eksperienca do ta ndihmojnë edhe më shumë. Klube si Dinamo e Kievit apo Partizani i Beogradit kanë shumë vite në nivele mjaft të larta, nuk mund të krahasohemi me ta, por gjithsesi treguam që nuk ishim inferiorë”.

Nuk pritej, në fakt, që të ishit aq afër në nivel. A u habitët ndopak?

“E drejtë, askush nuk e priste, të paktën kur u hodh shorti nuk është se na jepte ndokush shanse për të grumbulluar shumë pikë. Këtu në Shqipëri ekziston edhe një mentalitet inferior i vështirë për t’u çrrënjosur, e shohim veten gjithmonë inferior ndaj të huajve dhe të shumtë ishin ata që mendonin se do të humbnim çdo ndeshje, pa pasur shans për fitore. Treguam se Skënderbeu nuk e ka më këtë mentalitet”.

Image result for Mici Skenderbeu

Këto paraqitje janë të rëndësishme edhe për karrierën personale të çdo futbollisti. Vlera jote në treg është shumëfishuar, tani vlen 425 mijë euro në Transfermarkt.

“Nuk e kam fort idenë si funksionon puna e çmimit në sitet e specializuara, por është diçka pozitive që vlera ime dhe e lojtarëve të tjerë të Skënderbeut po rritet. Kjo tregon që kemi bërë gjëra të mira dhe kështu përfitojmë të gjithë, si ne futbollistët, ashtu edhe klubi. Jo vetëm kaq, por përfiton edhe futbolli shqiptar, sepse këtu nuk flitet më vetëm për Skënderbeun, flitet për Superioren. Rezultatet e Skënderbeut i bëjnë një reklamë të mirë gjithë kampionatit dhe herët a vonë të gjitha klubet do të rriten”.

Vlerë e rritur në treg nënkupton automatikisht mundësi shitjeje. E di që ndoshta mund ta kesh ti radhën?

“Uroj që të ndodhë, do ishte diçka e bukur për mua dhe klubin. Unë personalisht nuk është se merrem me zëra merkatoje apo kontakte, ato i bën klubi, kështu që nuk di të them ndonjë gjë konkrete. Lë gjithçka në dorë të klubit”.

Në janar, apo në verë?

“Edhe po pati, nuk do ishte keq. Unë kulmin e kam arritur tashmë në Shqipëri, mbi Skënderbeun nuk ka klub dhe nëse luan në grupet e Europa League, hapi i ardhshëm do të ishte një transferim jashtë, gjithnjë nëse kënaqen të gjitha palët. Do isha i lumtur ta provoja veten edhe jashtë. Nëse iki pa mbyllur sezoni, pengu i vetëm do të ishte të mos festoja titullin, që jam i bindur se këtë vit është i yni”.

Image result for Mici Skenderbeu

Pikërisht, kulmi yt ka vetëm një boshllëk, titullin kampion.

“Po, e vërtetë, nuk e kam fituar ende një titull kampion dhe sezoni i fundit më mbeti shumë peng. Isha i sigurt në vetvete se do ta fitonim kampionatin, duke parë ecurinë fantastike në pjesën e dytë të sezonit, ndaj zhgënjimi ishte shumë i madh. Pati momente kur mendoja se isha unë tersi, sepse sa shkela unë në Korçë, u ndal seria e titujve kampionë. Gjithsesi, më pas shkëlqyem në Europë dhe kapëm grupet, ndaj ishte një ngushëllim i bukur”.

Meqë jemi te titulli, jeni të parët dhe të shkëputur.

“Jemi të parët dhe besoj se nuk do të gabojmë më. Jemi superiorë, jo thjesht me deklarata të përjavshme, por me atë që tregojmë në fushë. Asnjë klub nuk është aq i organizuar sa i yni, asnjë skuadër nuk është aq e kompletuar sa e jona. Mjafton të shihet kur mungojnë 2 apo më shumë lojtarë te ne dhe kur u mungojnë rivalëve”.

Rival është Kukësi, që e prisni këtë javë. Ke luajtur për një sezon e gjysmë në Kukës, ke fituar edhe kupën, por u largove me probleme.

“Jo, për mua është ndeshje normale. Duam fitoren, jam i sigurt që do të fitojmë. Nuk është ndonjë ndeshje jashtë normales për mua, edhe pse ndarja me Kukësin vjet pati disa probleme. Kam respekt të madh për Kukësin dhe presidentin Gjici, mendoj se është reciproke”.

Ke luajtur 24 ndeshje këtë sezon, në të gjitha kompeticionet. Si ty, edhe shumë të tjerë te Skënderbeu. A po u krijon probleme?

“Në fakt, e kemi diskutuar shpesh këtë gjë. Po flisja edhe me Sabienin për këtë çështje dhe po kujtonim që para pak vitesh 24-25 ndeshje na bënte gjithë sezoni në Superiore, kur luhej me 14-16 ekipe në Superiore. Tani i kemi luajtur aq ndeshje në pak muaj, nuk ka mbërritur ende dhjetori. Natyrisht që lodhja ndihet pak, por jemi mësuar me një lodhje të tillë. Përveç kësaj, kjo është lodhje e mirëpritur, sepse kur ke sukses dhe luan ndeshje të mëdha, energjitë krijohen vetiu. Pastaj, edhe stërvitja është mjaft cilësore dhe na ndihmon të përballojmë kalendarin”.

Image result for Mici Skenderbeu

Duke qëndruar te stërvitja, kjo lidhet edhe me trajnerin Daja. Radas kishte fjalë shumë të mira për të, në një deklaratë dy ditë më parë.

“Në fakt, Daja është trajner mjaft i zoti, ndihet shumë dora e tij në skuadër dhe rezultatet flasin vetë, nuk ka nevojë t’i bëj komplimente, sepse mund të duket sikur po i bëj qejfin që të më aktivizojë sa më shumë (qesh). Shifrat nuk gënjejnë, përtej fjalëve tona, Daja është shumë i zoti duke parë rezultatet e tij”.

Daja mban nën kontroll edhe një grup mjaft cilësor dhe me stol të pasur.

“E saktë, është një grup mjaft cilësor dhe të gjithë duan të luajnë, por mendoj se edhe grupi e ka ndihmuar trajnerin. Është një grup perfekt, kemi harmoni të jashtëzakonshme. Edhe klubi është i shkëlqyer, e mban nën kontroll situatën dhe nuk krijohen probleme”.

Në këtë aspekt, Skënderbeu vlerësohet nga të gjithë lojtarët që kanë luajtur në Korçë.

“Po, në aspektin e organizimit dhe harmonisë Skënderbeu nuk ka rival dhe nuk besoj se do ketë klub si Skënderbeu për shumë vite”.

Të ndalemi pak te kapitulli kombëtare. Ke shkuar deri te Shpresat, ende asnjë grumbullim në kombëtare.

“Asnjë polemikë, kombëtarja ime është Skënderbeu për momentin. Të shkosh në Kombëtare nuk është e lehtë, duke parë ekipin cilësor që kemi pasur vitet e fundit, aq sa kemi shkuar edhe në Europian. Përveç kësaj, dihet që kemi shumë lojtarë jashtë Shqipërie, që luajnë në nivele të larta, ndërsa kampionati shqiptar është i penalizuar në këtë aspekt, edhe për faktin se nuk janë shumë klube si Skënderbeu. Gjithsesi, Sabien Lilaj është kthyer në Kombëtare dhe ka treguar sa vlen. Duke u ndeshur me skuadra mjaft cilësore na ndihmon shumë dhe besoj se do të jemi gati nëse do të jetë nevoja për Kombëtaren. Edhe transferimi jashtë Shqipërie shërben pikërisht për të provuar veten në nivele më të larta”.

Intervistoi: Blerim Jahaj

Gledi Mici

Datëlindja – 6 shkurt 1991

Vendlindja – Tiranë, Shqipëri

Gjatësia – 1.76 m

Pozicioni – Mbrojtës i majtë

KARRIERA

2000–2007 Tirana (të rinjtë)

2007–2009 Apolonia

2009–2012 Kamza 24 (2)

2012–2014 Flamurtari 65 (1)

2015–2016 Kukësi 45 (1)

2016– Skënderbeu

KOMBËTARJA

2006–2007 Shqipëri U17 2 (0)

2011–2012 Shqipëri U21 4 (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *