Teuta e Vllaznia përballen sot në një finale të vogël mbijetese dhe Vllaznia ka kohë që kërkon arbitër të huaj. Fillimisht u mendua se nuk do të realizohej, por tashmë është zyrtare: sfida e sotme do të drejtohet nga një treshe arbitrash maltezë, me kryesor Markom Spiteri, i cili ishte gjyqtar i katërt në sfidën e djeshme mes Tiranës dhe Pogradecit. Asistentë të tij do të jenë Kristofer Frakalanza dhe Shahon Kalleja. Federata Shqiptare e Futbollit pranoi kërkesën e klubit të futbollit të Vllaznisë për gjyqtarë të huaj, pasi drejtuesit kuqeblutë ishin të gatshëm për të paguar shumë 10 mijë euro që nevojitet për shërbimin e tyre.
TEUTA E PLOTË – Trajneri Begeja ka stabilizuar në portën Moçkën duke ulur në stol Kastratin. I riu ka qenë titullar në pjesën më të madhe të kampionatit, por nuk ka bindur me përformancat e tij. Mbrojtja është stabilizuar me Hakajn në krahun e majtë. Shkodrani ka një sfidë emocionale, pasi luan kundër ekipit të qytetit të tij. Qendra me Hrkaç dhe Billain, ndërsa Gjeorgjievski në krahun e djathtë. Mesfusha përbëhet nga Hila dhe Dediç. Në krahë do të luajë Beqja dhe Alhasan. Çyrbja në mbështetje të Latif. Sulmuesi është i vetëm në sulm.
Formacioni i mundshëm i Teutës
Moçka – Gjorgievski, Bilali, Hrkaç, Hakaj – Hila, Dediç – Beqja (Lajthia), Çyrbja, Alhasan – Latif
MALOTA NGA STOLI – Takimi kundër Teutës ka qenë shumë delikat dhe për teknikun Gjoka për të përzgjedhur formacionin e tij. Dilema e madhe ka qenë aktivizimi i Malotës, apo dhe i dyshes Sukaj-Ribaj, duke qenë se bënë mirë me Lushnjen. Tekniku ka preferuar as të parin, por as mënyrën e dytë të luajturit. Në fakt, kjo jo një zgjedhje e lehtë, pasi aktivizimi i Malotës ka qenë një objektiv i stafit teknik, por dhe dëshirë e vete mbrojtësit për të qenë në fushë për sfidën me durrsakët. Mungesa e gjatë në stërvitje me grupin ka bërë që të dy palët, stafi teknik dhe lojtari, të bien dakord që ai të mos e nisë ndeshjen nga minuta e parë. Lezhjani do të jetë i gatshëm në stol për çdo moment dhe nëse Gjoka mund të ketë nevojë për të do të hidhet në fushë. Një tjetër dilemë ka qenë dhe në sulm, pasi nuk dihej nëse do të luante Çinari apo Ribaj. Duke parë formën e mirë të këtij të fundit, tekniku e ka preferuar si mesfushor krahu para shkodranit. Sukaj do të vazhdojë të jetë i vetëm në sulm. Mesfusha do të ketë në përbërjen e saj Krymin, Tafilin, Likën dhe Vucajn. Ajo që tërheq vëmendjen është fakti që tekniku Gjoka do të vijojë të ketë në lojë nga minuta e parë edhe në këtë ndeshje dyshen Sukaj-Ribaj. Me aktivizimin e këtij të fundit, ai që e ka pësuar është Çinari, i cili në këtë ndeshje është programuar të nisë nga stoli. Në pozicionet e tjera, porta do të vijojë t’i besohet Alen Sherrit, ndërsa në prapavijë katërshja Gocaj, Orelesi, Berisha dhe Mersini.
Formacioni i mundshëm i Vllaznisë
Sherri – Gocaj, Orelesi, Berisha, Mersini – Krymi, Tafili – Lika, Vucaj, Ribaj – Sukaj