Armand Duka ka dhënë përshtypjet e tij të para pas përfundimit të rrugëtimit të Shqipërisë në Kampionatin Europian. Presidenti i FSHF-së ishte i ftuar në emisionin “Kampionët” në “TV Klan”, ku ka thënë mendmin e tij në lidhje me kuqezinjtë. Duka i ka vendosur notën 7 Silvinjos, si dhe ka shprehur kritikat e tij për nivelin e arbitrimit në përballjen kundër Spanjës.
“Nota e Silvinjos? Notë kaluese. Notë maksimale në futboll nuk ka. I vendos 7. Kjo loja jonë është kaq shumë e bukur, sepse i jep të drejtë të gjithëve. Silvinjo si trajner i Shqipërisë ka fat, sepse ka vetëm 3 milionë shqiptarë që mendojnë se janë trajner. Në Brazil do të ishin më shumë.
Nëse do ta kthej ndeshjen e Spanjës të filmuar mendoj që Broja do të na kishte ndihmuar po të kishte minuta më shumë. Përpara ndeshjes me Spanjën, duke parë sa mirë luajti Manaj me Kroacinë, do të thoja të luante ai. Hoxha e ka ndihmuar shumë ekipin për aq minuta sa ka luajtur.
A do të kishte luajtur kaq mirë por të kishte më shumë minuta? Këtë nuk e dimë. Për aq minuta sa ka luajtur, ka luajtur shkëlqyer. Asllani ishte lojtari më i mirë i Europianit nga ekipi kombëtar shqiptar. Gjykimi në ndeshjen e tretë nuk ishte në nivelin e ndeshjes, ishte nën nivel. Ajo që duhet të arrinim ishte ndeshja e fundit me Spanjën, duhet ta fitonim. Rotacionin e trajnerit duhet ta shfrytëzonim me më tepër agresivitet”, është shprehur Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/