Kuqeblutë janë të mobilizuar për të marrë tre pikët me Laçin në shtëpi. Lëvizjet në formacion me “pikatore”. Gjoka: Kjo skuadër nuk është për të qenë në këtë gjendje
Gaspër Marku
Stërvitje intensive dhe larg mediave, kjo ka qenë “kura” e Vllaznisë për të dalë nga kriza e rezultateve. Premio e akorduar nga deputeti Tom Doshi, është një motivim ekstra për futbollistët, që e kanë të domosdoshme të marrin maksimumin kundër Laçit. Dje para mediave ka dalë trajneri Ernest Gjoka dhe ka folur për shumë gjëra, mes të cilave edhe formacionin, që ndryshe nga sa mendohej mund të mos të ketë fare lëvizje, ose me “pikatore”. Ndërkohë, ajo që vlen më shumë, ka të bëjë me optimizmin e tij personal, por edhe të gjithë futbollistëve kuqeblu për ta kaluar me sukses sfidën e sotme me Laçin.
Profesor, gjithmonë keni deklaruar se deri në fund të kampionatit do të jetë gjithçka stresuese në këtë kampionatit. Keni parandjerë diçka në këtë drejtim?
-Jo, nuk është çështje parandjenje. Të jemi realistë dhe të shikojmë se ku kemi qenë, ku jemi dhe çfarë kërkojmë. Gjithmonë, që kur kam ardhur, kam thënë që jemi për mbijetese. Me gjithë mundësitë dhe gjërat që u munduam t’i ndryshojmë në fazën e trete, përsëri ajo “gropa e madhe” e pikëve nuk arriti të mbushej. Dhe, përnjëherësh skuadra tregohet e brishtë, në momentin që bëmë dy humbje rresht rrezikojmë përsëri. Vazhdoj e këmbëngul dhe them që në këtë kampionat dhe në këtë garë kaq të rrezikshme do të vazhdojmë luftën deri në fund. Kështu është kompeticioni, kështu është ekipi i Vllaznisë.
Humbja me Luftëtarin, sa ka ndikuar në skuadër?
-Për këtë kemi punuar shumë, kemi diskutuar shumë, kemi bashkëpunuar shumë, duke qenë të gjithë bashkë për ta nxjerrë skuadrën nga kriza e momentit. Pikërisht, kjo skuadër që para dy javësh po flisnim me superlativa, është skuadër që përsëri është futur në krizë. Besoj që futbollistët ta kenë marrë sinjalin pozitiv për të dhënë mundësitë që kanë, sepse vazhdoj e këmbëngul që kjo skuadër nuk është për të qenë në këtë moment kaq të keq.
Gjithsesi, duhen pikë për të dalë nga kjo situatë…
-Pa qetësi dhe mbështetje futbolli nuk ecën dot. Skuadra e futbollit është një skuadër e brishtë dhe e ndjeshme. Nuk ka të bëjë fare me çështjen e sportistëve cilësore që ke brenda, sepse i kemi, por janë njerëz dhe kur shikojnë që gjërat nuk shikojnë mirë, bien nën presion dhe nën tension. Prandaj ky sport është i vështirë, prandaj ky sport nuk ka asnjëherë parashikime që mund të themi që filluam këtu dhe mund të shkojmë atje. Është i paparashikueshëm dhe të gjitha janë gjëra që ndodhin, kështu që në këtë moment skuadra ndodhet në vështirësi, sepse është në vështirësi pikësh, vështirësi të një gare që vazhdon, duke mos pasur asgjë të sigurt nëse nuk do të tregohemi me personalitet dhe dinjitet për vazhdimin e garës.
Drejtuesit e klubit kanë dhënë garancinë edhe për ju, edhe për skuadrën. Është diçka pozitive kjo?
-Padiskutim, unë mendoj që drejtuesit e klubit janë munduar të na japin mbështetje. Jo më kot e bëmë edhe mbledhjen, që ishte edhe më e zgjeruar, erdhën edhe disa personalitete të bashkisë, pati edhe personalitete të sportit, si Lici dhe Grima. Mendoj se kjo ishte pozitive. Ishte pozitive, sepse gjithmonë në momente të vështira duhet t’i ndihmojmë njerëzit, në momente të vështira duket se kush janë miqtë e vërtetë të Vllaznisë, që ka një sëmundje kronike prej kaq vitesh. Në atë moment kuptova shumë mirë se kush e do Vllazninë me shpirt dhe se kush janë ato njerëz, edhe në momente të vështira nuk ta vënë këmbën në fyt, por na japin moral për të ecur përpara. Vllaznia nuk është e Nestit, Vllaznia është e gjithë qytetit.
Të shohim nga sfida me Laçin, çfarë do të ndryshojë Gjoka për të dalë tek fitorja?
-Unë mendoj që duhet të ndryshojë mentaliteti. Ne këtë grup kemi, këto janë lojtarët, të mirë apo të këqij. Ne kemi marrë përsipër për të luftuar deri në fund, kështu që ndryshimet mund të jenë të vogla, mund të mos jenë fare, por e rëndësishme është që do të futen nga minuta e parë dhe ata që do aktivizohen gjatë lojës do të japin maksimumin. Kam bindjen maksimale, se nëse ndryshojmë ritëm, nëse ndryshojmë mentalitet, nëse do të besojmë tek vetja, ne do t’ia dalim. Do ia dalim sepse nuk është ky momenti më i mirë i Vllaznisë, nuk janë këto cilësitë e Vllaznisë. E treguam në fazën e tretë, që kjo skuadër ka mundësi të ecë përpara.
Edhe barazimi me Laçin do të ishte dështim i madh, apo jo?
-Unë mendoj që duhet të marrim pikët dhe e mira do të jetë që në fushën tonë të marrim maksimalet. Kjo është ajo që kërkojmë, të gjithë e dimë këtë vështirësi, të gjithë po punojmë në maksimum, asnjë gjë nuk i kemi lënë mangët. Në asnjë moment nuk kemi thënë që kemi bërë mirë sot dhe nesër të bëjmë pushim, po luftojmë, po sakrifikojmë për të bërë më të mirën e mundshme. Dhe e mira e mundshme është që të marrim tre pikëshin.
Në opinion thuhet se Vllaznia është shumë e rrezikuar për t’u larguar nga Superiorja. A beson Gjoka se do t’ia dalë bashkë me futbollistët?
-Unë mendoj, se që në momentin e parë që kam ardhur këtu, kemi qenë të rrezikuar. Që me fillimin e fazës së trete e dinim rrezikun e pikëve, sepse faza e parë dhe e dytë ka qenë shumë problematike, pikët kanë qenë shumë mangët. Bëmë mirë në fazën e tretë, nuk rikuperuam dot aq pikë sa duhej të rikuperonim, megjithëse arritëm të grumbullonim goxha pikë. Faza e katërt tashmë është gjithçka me llogari, llogari me letër. Unë besoj dhe shpresoj që çunat dhe të gjithë futbollistët e Vllaznisë do t’ia dalin, do të tregojnë forcën e karakterin për ta mbajtur Vllazninë edhe sivjet me gjithë këto halle në Superiore.