Trajneri: Ndeshje e ekuilibruar, shanset 50 me 50. Sfidë që fitohet nga trajnerët. Skënderbeun e ndihmon Europa League. Partizani ka sulmin më të mirë në Shqipëri
Edicioni i kaluar futbollistik e gjente Ernest Gjokën në kushte krejt të tjera. Në këtë kohë, një vit më parë, Gjoka “hante” thonjtë për skemat që duhet të nxirrnin Pejiçin te goli, e Kukësin të fitorja e ndeshjeve. Në fund, ia doli, e rrëmbeu titullin, vazhdimi i historisë s’ka nevojë për shumë koment, dihet nga të gjithë.
Sot, në kushte krejt të tjera, Gjoka mund të flasë lirshëm, pa tensionin e pikëve, mendimin e tij për ndeshjen Skënderbeu-Partizani, e ka shprehur në një prononcim për “Sport Ekspres”. Ndryshe nga skeptikët e përhershëm, Gjoka mendon se Partizani ka sulmin më të mirë në Shqipëri me Çanin dhe Sukajn. Parashikimi i tij për ndeshjen? Jo, nuk ka të tillë, sepse Gjoka është diplomat deri në fund, por Julianos i jep një këshillë, luaj me Sukajn dhe Çanin së bashku.
– Duke parë startin jo shumë të mirë të kampionatit, cili ekip mendoni se vjen më i favorizuar në sfidën ndërmjet Skënderbeut dhe Partizanit?
– Një ndeshje mjaft e vështirë për të dy skuadrat, janë dy ekipe mjaft të forta, pretendente. Partizani nuk e ka nisur mirë kampionatin, por mendoj se e ka elementin brenda dhe ka grup cilësor, mjafton të punohet në aspektin psikologjik. Të mos harrojmë se kemi përballë një Skënderbe që po bën mirë në kampionat dhe mjaft mirë në Europë. Kjo i jep një tjetër fytyrë dhe “peshë”. Këto aspekte bëjnë që të zhvillohet një ndeshje mjaft e bukur, por edhe e fortë.
– Ju përmendet Europa Leaguen, por a mund të kthehet në bumerang për Skënderbeun?
– Keni të drejtë në këtë që thoni, pasi ka më shumë lodhje dhe më pak kohë në dispozicion për të përgatitur ndeshjet, por unë nuk mendoj kështu. Besoj se pjesëmarrja në Europë e ndihmon skuadrën moralisht, e rrit profesionalisht dhe e bën më të lirshme në kampionatin tonë. Të mos harrojmë se edhe vetë trajneri Daja, ka thënë që ekipi është i përqendruar më shumë te kampionati, pasi në sajë të tij sigurohen edhe pjesëmarrjet evropiane.
– Keni qenë deri vjet në kushte të tilla, këto janë ndeshje të trajnerit, apo lojtarëve?
– Në takime të tilla të forta, trajneri ka një risk shumë të madh përsipër, pasi duhet ta përgatisë skuadrën në detaje. Ai ka një rol të madh në sfida kaq të forta. Nuk mohet ndikimi absolut i futbollistëve, pasi janë ato që interpretojnë skemat e teknikut në fushat e lojës. Sfida të tilla, prandaj bëhen të bukura, pasi del në pah edhe lidershipi i ekipit. Në rast fitoreje, merita shumë të mëdha marrin edhe trajnerët.
– Mund të themi se Skënderbeu është i favorizuar në pankinë, pasi ka një “specialist” si Daja, ndërsa Juliano është i afruar rishtas në futbollin tonë?
– Nuk mendoj se Daja është shumë i favorizuar, sigurisht që faktori fushë dhe pjesa që njeh më mirë futbollistët kundërshtarë e ndihmon pak, por në ndeshje të tilla ndikojnë shumë faktorë. Mendoj se peshorja do të jetë 50 me 50, pa veçuar faktorin fushë dhe tifozerinë.
– Duke ecur me idenë e paqëndrueshmërisë, sa në rrezik futet Juliano, nëse skuadra nuk merr rezultat pozitiv dhe nuk shënon sërish?
– Këto janë ndeshje që duhen fituar. Trajnerët duhet të dinë të mbajnë presionin psikologjik mjaft mirë, pasi janë takime të vështira. Juliano ka pasur më shumë vështirësi, pasi ka ardhur nga një ambient i huaj, duhet të mësojë shumë shpejt veçoritë e kundërshtarëve. Nuk mendoj se rrezikon shkarkimin, por besoj se besueshmëria i ulet. Juliano nuk e ka filluar mirë, pasi Partizani ka bërë një investim shumë të madh dhe ka në ekip elementë cilësorë. Mendoj sulmin më të mirë në Shqipëri e ka Partizani dhe duhet që Sukaj dhe Çani të dalin në pah. Kukësi ka humbur sulmuesit kryesorë, ashtu si Skënderbeu, prandaj mendoj se Partizani ka absolutisht sulmin më të mirë në Shqipëri. Këtu pastaj, hyn në lojë roli i trajnerit se sa shpejt ai arrin ta kuptojë këtë gjë dhe të harmonizojë skuadrën. Në Shqipëri janë larguar 4 sulmuesit më të mirë të kampionatit të vjetshëm. Pejiç, Emini, Ekuban dhe Salihi kanë realizuar treçerekun e gjithë golave të kampionatit të vjetshëm.
– Me këtë ide, ju thoni se Çani dhe Sukaj janë më lart se Soue…
– Personalisht mendoj se po. Vetëm se duhet që trajneri të gjejë skemat e duhura që t’i zhbllokojë të dy këto lojtarë dhe të arrijnë të luajnë së bashku.