Gjoka në debutim: Kalojmë ngërçin, duam pikët e plota

Trajneri: Partizani është kundërshtar i vështirë, por kam besim se lojtarët do të tregojnë vlerat e tyre. Kemi nevojë për tifozerinë

Gaspër Marku

Tre ditë ka pasur tekniku Ernest Gjoka në dispozicion për të përgatitur skuadrën për ndeshjen që do të ketë sot në stadiumin “Loro Boriçi”. Ai ka debutimin e tij në krye të kuqebluve, një skuadër që në fakt e ka dëshiruar ta ketë në drejtim edhe sezone më parë por ngjarjet erdhën në atë mënyrë që ai ta mbërrijë në këto kohë. Në fakt, nga sa thuhet, ai fare mirë mund të kishte nënshkruar rreth dy javë më parë edhe me Partizanin dhe sot do të kishte qenë përsëri në “Loro Boriçi”, por kundër Vllaznisë. Dalja nga kriza e të kuqve dhe problemet tek kuqeblutë rrokullisen situatat dhe realiteti është ky që ai sot debuton në timonin e Vllaznisë. Koha nuk pret, dhe ai menjëherë kërkon ndryshimin. Këtë ndryshim synon ta nisë që sot duke marrë rezultatin e parë pozitiv. Edhe pse do të ketë përballë një skuadër potenciale si ajo e Partizanit që pasi ka lënë pas problemet tashmë kërkon marshimin drejt kreut, Gjoka, nuk nguron të sfidojë kundërshtarin, që nëse e arrin do të ishte një mrekulli për të. Deklarata e tij në konferencën për shtyp, ishte sa entuziaste, po aq profesionale dhe natyrisht edhe e guximshme. “Fitore tre pikëshe, si oksigjen për të harruar gjithçka jo të mirë që ekipi ka kaluar këto javë”, – u shpreh ndër të tjera ish-tekniku kampion i Kukësit që një mentalitet të tillë kërkon ta fusë edhe tek shkodranët e Vllaznisë. I shoqëruar nga drejtori sportive i KF Vllaznisë, Eugent Zeka, ndër të tjera Gjoka mori përsipër që ndryshimi i Vllaznisë të vijë përmes disa etapave, fillimisht për të dalë nga ngërçi që e ka pushtuar, dhe më pas të ngjitet dalëngadalë për të shkuar aty ku i takon.
Profesor, takimi i parë në “Loro Boriçi” në krye të Vllaznisë, a është diçka e veçantë për ju?
– Natyrisht që është diçka që me emocionon, sepse të jesh trajner i Vlaznisë është diçka e madhe në karrierën time. Kjo për faktin se Vllaznia është një emër i madh i futbollit shqiptar, pavarësisht problemeve që momentalisht ka. Shpresoj që të bëjmë një start sa më pozitiv me këtë ekip.
– Diçka mbi emocionet e marrjes së detyrës, për prezantimin me skuadrën dhe mikpritjen shkodrane?
– As që e vë në diskutim mikpritjen shkodrane. Ajo është gjithmonë pozitive, edhe kur kam qenë me ekipet kundërshtare kam gjetur përherë mikpritje në Shkodër. Edhe skuadrën duhet thënë se e njoh mire. Me lojtarë që i njohim ndër vite, mendoj se ka qenë një pritje profesionale e tepër pozitive.
– Keni patur shumë pak kohë në dispozicion për ta përgatitur skuadrën për ndeshjen e së dielës me Partizanin. Sa të gatshëm ndiheni për këtë sfidë?
– Sigurisht që kundërshtari kryesor i kësaj sfide ka qenë koha. Megjithatë ne kemi lojtarë me personalitet brenda, dhe jemi mbështetur shumë tek lojtarët me shumë përvojë dhe eksperiencë, në mënyrë që të dalin sa më shpejt në “autostradë”. Kështu që kam besim se gjërat do të shkojnë mirë nesër(sot).
-Çfarë pritet të ndryshojë Gjoka tek Vllaznia?
– E para do të rrisnim entuziazmin, të punojmë me lojtarë të veçantë për të rritur nga vlerat që kanë, moralisht, psikologjikisht për të kaluar një ngërç që ato kanë në këto momente.
Nga sa është parë, kundër Partizanit preferoni Kalanë në majë të sulmit
– Normalisht që sulmi është problemi i vetëm që kemi. Pse them sulmi, se njëri lojtarë, Atsina, është i dëmtuar, lojtari tjetër Ribaj nuk është në kondicionin e tij më të mirë fizik të njëqind përqindëshit, prandaj mendova ta filloj këtë takim në sulm me Kalanë. Një djalë i dalë nga akademia Vllaznia, ai ka shpejtësi, agresivitet dhe prandaj shpresoj që të bëj më të mirën në këtë ndeshje.
– Nga burime dytësore mësohet se ke qenë shumë pranë Partizanit, ndërsa sot do të jenë përballë tij?
– Unë jam me idenë që të shikojmë e të ecim përpara. Tashmë jam trajner i Vllaznisë dhe kundërshtarin e radhës kam Partizanin. E rëndësishme është që ta kalojmë me sukses këtë sfidë.
Do të kërkoni tre pikëshin apo edhe një barazim do t’ju kënaqte?
– Dëshira e çdo trajneri dhe e çdo skuadre futbollit është që të marrin maksimumin e pikëve. Kështu që dëshira dhe objektivi i jonë për nesër(sot) është që të marrin tre pikëshin. Kjo është një diçka që do ta kërkojmë me çdo kusht dhe do të këmbëngulim fort për të marrë fitoren. Një 3 pikësh në këtë ndeshje është një oksigjen për ne për të harruar gjithçka jo të mirë që ka kaluar ekipi këto javë.
– Keni një mesazh për tifozërinë shkodrane?
– Besoj që nesër(sot) do të na mbështesin. Për ne tifozëria është ndihma jonë më e madhe. Në një moment të vështirë miku duhet që të na ndihmoj. Të na japin krahin që të ecim përpara. Është shumë pozitive që ato të na mbështesim dhe ne besoj se do të ia shpërblejmë.
– E mendoni Vllazninë në kufijtë e mbijetesës siç është sot, apo parashikoni që të ketë një mundësi më shumë?
– Në çdo skuadër që shkoj unë do të kërkoj maksimumin. Maksimumi im është të kërkoj trofe. Unë nuk kam ardhur për të para për mbijetesë. Këtë do ta ndaja me etapa, ku etapa e parë është ajo për të dalë nga ky ngërç që jemi dhe etapa e dytë normalisht për të ecur përpara. Unë shpresoj dhe besoj se kjo skuadër ka vlera ka potencial për të ecur përpara. Sigurisht që duhet të mendojmë shumë që Vllaznia të projektohet për trofe. Por që sot të arrish për të kërkuar trofe duhet që gjërat t’i marrësh me radhë shkallë pas shkallë. Të mos jemi euforik, që një skuadër të kërkoj trofe menjëherë. Unë mendoj që tani jemi tek etapa e parë që Vllaznia të dalë mbi veten e saj, të nxjerrin të gjithë elementët kryesorë që ka kjo skuadër të ecin përpara. Kjo është shumë kryesore.

Formacioni i mundshëm i Vllaznisë

Sherri (Selimaj); Gocaj, Pjeshka, Orelesi, Marku; Krymi, Hasani, Tafili; Çinari, Lika; Kalaja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *