Fitorja e shkëlqyer kundër Flamurtarit ka kthyer buzëqeshjen te Vllaznia dhe trajneri Ernest Gjoka më në fund merr frymë i qetë, edhe pse në “Gol pas goli” në Supersport deklaron se nuk është asgjë e madhe kjo fitore dhe kjo lojë e mirë, nëse nuk ka vazhdimësi.
– Vllaznia mori një fitore të madhe, por mbi të gjitha luajti shumë mirë.
– Ishte një ndeshje e mirë, por ishte pasojë e fillimit të fazës së tretë, ku jemi përmirësuar nga ndeshja në ndeshje. Kemi pasur rritje, pavarësisht humbjes në Laç, ku edhe atje krijuam lojë e raste. Sot na erdhi edhe goli dhe ishte një fitore shumë e rëndësishme, ndaj një kundërshtari si Flamurtari, që ka një sulm shumë potent.
– A do të luajë gjithnjë kështu, duke tentuar fitore, Vllaznia?
– Ne diskutojmë përditë me futbollistët dhe e dimë që nëse nuk japim maksimumin në çdo ndeshje, nuk do jemi pjesë e Superiores. Duhet uri, agresivitet, dëshirë, për të marrë fitore shumë të nevojshme. Duhet të vazhdojmë kështu, asgjë nuk ka mbaruar, kjo ishte vetëm një ndeshje.
– Flamurtari kishte shumë mungesa.
– Është gjithçka pjesë e lojës, edhe ne ishim pa një shtyllë në mbrojtje si Malota. Është gjithçka normale, çdo skuadër ka momente kur ka shumë mungesa.
– Problemi i Vllaznisë, a është vetëm mungesa e një presidenti?
– Është e vërtetë, por vazhdojmë të jemi shumë të ngarkuar psikologjikisht. Kjo skuadër ka potencial për të ecur përpara, por ka mbetur pas në renditje dhe i duhet të eci shumë shpejt. Po të vazhdojmë të ndryshojmë mentalitet, po të japim gjithçka, do ta arrijmë synimin tonë.
– Vucaj luajti një ndeshje të shkëlqyer, mbrojtja ishte thuajse perfekte.
– Vucaj është lojtar shumë i rëndësishëm dhe ka potencial për të bërë edhe më shumë se kaq. Megjithatë, mendoj se funksionoi e gjithë skuadra, nuk mjafton një lojtar. Flamurtari ka një sulm shumë të fuqishëm dhe u munduam ta bllokojmë që në topin e parë.
– Sukaj shënoi, por Lika humbi penallti. Si mund të zhbllokohet?
– Nuk ka rëndësi kush shënon. Penalltitë i gjuan Sukaj, por sot i dhamë një shans kapitenit, që nuk e pati fatin të shënonte. Do të mundohemi ta rregullojmë shënjestrën në vazhdim.
– A është ende nën presion Vllaznia?
– Kam dëshirë ta harroj, por presioni mbetet i madh, nuk kalohet kollaj gjithë ky tension që kemi pasur. Rëndësi ka të ecim përpara dhe gjithçka do harrohet.