Duro: Me kaq shumë mungesa, e pamundur. Do të vuajmë edhe disa javë

0

Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ka mbetur i zhgënjyer nga humbja në Shkodër, por jo aq për pikët e lëna apo rezultatin e thellë, sesa për faktin se Flamurtari e nisi shumë mirë dhe për 20-25 minuta po dominonte, por goli i parë i Vllaznisë e goditi rëndë dhe i dyti mbylli gjithçka.

KEQARDHJA – “Mungesat patjetër që janë të shumta, 7-8 futbollistë, por sot më erdhi keq se e nisëm mjaft mirë, po dominonim, Vllaznia vetëm po mbrohej, ndërsa një gabim bëri që të pësonim golin e parë. Pikërisht kjo më mërziti, sepse në pjesën e parë po luanim shumë mirë, por falëm golat dhe në pjesën e dytë mbaroi gjithçka”.

MUNGESAT – “Qysh në ndeshjen me Luftëtarin kishim shumë mungesa, sot ishim edhe më keq, fare pa mesfushë. E dija që do vuanim në dy ndeshjet e fundit, edhe në vazhdim do vuajmë shumë, sepse disa lojtarë do të mungojnë për disa javë. Të paktën po kthehen disa lojtarë nga pezullimet, tani duhet të rikthehemi sa më shpejt me organikë të plotë, sepse afron fundi i sezonit dhe duhet të japim maksimumin për t’u kthyer skuadra që ishim deri para pak kohësh”.

LOJA JO E MIRË – “Nuk dua të merrem me portierin, nuk ishte faji i tij. Në fakt, kundër Luftëtarit dominuam në pjesën e parë. Edhe sot, në 25 minutat e para dominuam, ndaj një rivali që vetëm po mbrohej, por dihet që goli të ndryshon ndeshjen, sidomos goli i parë. Më pas një gabim në mesfushë solli golin e dytë dhe më pas në pjesën e dytë nuk flitej më për rezultat, mund të shkonte edhe më keq. Për fat të keq, Zhufo është dëmtuar, afrimi më i rëndësishëm Muarem është dëmtuar dhe unë për atë punë e kam marrë, për të organizuar lojën. Nëse mungojnë lojtarë të tillë, është e qartë që vuajmë në organizim, aq më shumë që mungonin dhe Sidibe e Useini.

AFRIMET E JANARIT – “Duhet ta sqarojmë këtë problem. Së pari, dy po luajnë e dy jo, kanë dy muaj që Muarem dhe Tunkara nuk kanë luajtur ende me kohë të plotë, ndaj nuk llogariten. Kanë luajtur vetëm Zuka e Nedeljkoviç. Zuka është djalë i ri, ka ardhur pa kosto të lartë financiare dhe në ndeshjet që ka luajtur, ka bërë shumë mirë. Nedeljkoviç nuk është ende në pritshmërinë time, sepse ai ka shënuar shumë gola në Maqedoni, ndërsa nuk është ngjitur aty ku dua”.

MUNGESA E GOLIT – “Në ndeshjen e fundit mungoi Danilo Alvesh, ndërsa Bushiç është një lojtar model, që punon shumë, profesionist i vërtetë, ndaj nuk më shqetëson që nuk po shënon, do të kthehet shpejt. Edhe Alvesh pati mundësi sot, nuk ia doli. Mungesa e golit më shqetëson, natyrisht, por derisa skuadra të kompletohet është e qartë që do të vuajmë”.

QIRKO – “Nuk mund ta quaj fajtor, është një djalë i ri, e ka të ardhmen përpara, nuk ka arsye pse të fajësojmë atë për golat”.

POLLOZHANI – “Ai luan në qendër të mbrojtjes, ku është ambientuar mirë. E njoh mirë si lojtar, ai çorientohet si lojtar nëse ndryshon shpesh pozicion, ndaj e kam pozicionuar në qendër të mbrojtjes, ku është paraqitur mjaft mirë”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.