Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, e ka konsideruar pozitiv barazimin në Kamzë, ndaj një rivali që kishte nevojë urgjente për pikë. Për më shumë, Teuta u mund, ndaj Gjoka ka të drejtë të buzëqeshë.
A fitoi frika nga humbja? “Sigurisht, edhe ajo është pjesë e lojës. Kamza ka bërë shumë mirë deri tani, ka shumë pikë, ndaj duhej shumë kujdes. Sot iu përshtatëm pak lojës së kundërshtarit, lojë e egër, top i gjatë, por rëndësi ka që morëm një pikë, që mund të vlejë shumë në të ardhmen.
Mungesa e humbjes, duket si skuadra që do Gjoka? “Po, nëse nuk mundemi është shumë e rëndësishme psikologjikisht. Skuadra duhet të evitojë stresin dhe situatat si në fund të vitit të shkuar. Çdo rezultat pozitiv shton besimin në vetvete dhe renditja përmirësohet. Sot morëm një pikë, ishte ajo që meritonim.
Sukaj? “Kundërshtari e kishte izoluar, por sërish ai lëvizi shumë, luftoi, krijoi situata të rrezikshme dhe me pak kujdes mund të shënonim. Gjithsesi, edhe barazimi nuk është pak.
Katër pikë nga Teuta? “Nuk janë asgjë, në këtë kampionat që jemi. Duhet të krijojmë një distancë më të madhe dhe të tentojmë të afrohemi me ekipet më lart. Distanca me ekipet më sipër është shumë e madhe, por mendoj se nëse vazhdojmë kështu, jemi në rrugën e duhur dhe herët a vonë do të shkojmë aty ku duam. Partizani, rival direkt? Nuk e shoh fare renditjen për më lart, shoh pas nesh”.