Franca U-21 ka fituar pastër ndaj Shqipërisë U-21 me rezultatin 4-0 gjatë mbrëmjes së djeshme, në një takim miqësor. Megjithatë rezultati nuk tregon saktësisht atë që ndodhi përgjatë 90 minutave. Në pjesën e parë kuqezinjtë ishin të pakalueshëm, me mbrojtjen në nivelin më të lartë.
I vetmi moment kur Franca mund të shënonte, e tundi rrjetën falë pikës së penalltisë në minutën e 43. Një ndërhyrje tërësisht e panevojshme e Shehut, që i hapi rrugën fitores. Alban Bushi do të vendoste Armando Brojën menjëherë në fushë nga pjesa e dytë, por nuk ishte takimi i duhur për të parë aftësitë e këtij sulmuesi.
Gabimi i Mersinajt që do të humbte ekulibrin para zonës, do të ishte edhe gabimi i dytë i kuqezinjëve, për të pësuar tjetrin nga Franca. Mes shumë ndërrimeve dhe përgjumjes pas rezultatit, do të vinin edhe dy golat e pësuar në minutat e fundit. Në stadium kishte edhe një tifoz të veçantë, pasi legjenda e Kombëtares, Edvin Murati, e ndoqi nga afër gjithë ndeshjen.
Sa i përket elementeve të spikatura nga Shqipëria U-21, mbrojtësi Geraldo Bajrami e tregoi se nga vinte. Pikërisht nga Birminghami, ndërsa atje ka debutuar me ekipin e parë, por edhe si kapiteni i U-23. Nëse i kthehemi pak statistikave, Franca U-21 vlente e gjitha më shumë se 300 milionë euro, përkundër 3 milionë eurove që kushtonin lojtarët e Shqipërisë.
Pavarësisht lojtarëve me teknikë të jashtëzakonshme që zotëronin vendasit, Bajrami arrinte t’i mbyllet me fizikun e tij të gjitha duelet, duke e pasur më të lehtë, pasi vjen nga përgatitja e futbollit anglez. Thuajse asnjë e humbur në duelet tek për tek me futbollistët e Francës, pavarësisht sulmeve të shumta. Në një linjë nga minuta e parë dhe deri te e fundit, megjithëse ishte vetëm ndeshja e tretë me Shqipërinë U-21.
Një ndeshje shumë të mirë dhe disi jashtë pritshmërive normale ka bërë edhe Maloku. Pasime me saktësi të madhe dhe me iniciativën për të marrë krahun në ato pak mundësi që të lejonin francezët. Kur flitet për Mersinaj, ishte duke zhvilluar një ndeshje fantastike, deri në momentin që fal golin e dytë.
Gjithsesi, mbrojtja kishte notën më të lartë, ndërsa mesfusha notën më të ulët. Trajneri Bushi i kishte dhënë këshilla lojtarëve që të provonin veten dhe të dilnin me pasime nga mbrojtja, pavarësisht presionit të lartë që ofronte Franca.
Në shumë raste nuk kishte asnjë gabim të vetëm të mbrojtsave në dhënien e pasimeve mes tyre, duke e zgjatur ekipin më tej. Por deri në momentin që topi mbërrinte në mesfushë, pasi atje do të dominonte në të gjitha drejtimet vetëm kundërshtari. Për të folur rreth Vrionit apo Brojës, kjo nuk ishte ndeshja e duhur, pasi rrallëherë mbërrinte situata për të vizituar nga afër portën e kundërshtarit. /Sport Ekspres/