“Gjithçka duhet të dini për projektin Uniforma Ime, u kursen 2.5 mln euro në vit familjeve shqiptare”

Projekti “Uniforma Ime” u lançua pak javë më parë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe impakti që do të ketë në zhvillimin e futbollit pritet të jetë shumë i madh. Në një kohë që projekti vazhdon t’i prezantohet të gjitha komuniteteve në Shqipëri për përfitimet që do të kenë familjet shqiptare dhe fëmijët që luajnë futboll, grupet e punës në FSHF janë duke marrë të dhënat dhe po ecin me ritme të shpejta drejt implementimit të programit duke nisur që nga ky sezon.

“Uniforma Ime” parashikon ofrimin e një seti me bazë materiale falas çdo fëmije që luan futboll në gjithë Shqipërinë nga mosha U-7 e deri në moshën U-19 e më konkretisht uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes.

Për të shpjeguar më në detaje këtë nismë Koordinatori i projektit “Uniforma Ime”, Daniel Davidhi dha një intervistë për Fshf.org, duke treguar se nisi kjo iniciativë dhe sa do të ndikojë në zhvillimin e futbollit dhe mbështetjen e futbollit të fëmijëve në vend. Davidhi thekson se familjet shqiptare do të kursejnë rreth 2.5 milionë euro në vit duke i marrë falas nga FSHF uniformat për fëmijët e tyre, teksa pritet që ulja e vazhdueshme e kostove për familjet shqiptare të ketë një impakt në afrimin e më shumë fëmijëve me botën e bukur të futbollit.

Është lançuar prej disa javësh tashmë projekti “Uniforma Ime” nga Federata Shqiptare e Futbollit, një projekt mjaft ambicioz që ka si prioritet zhvillimin e futbollit të fëmijëve që luajnë futboll. Çfarë është ky projekt dhe pse është kaq i rëndësishëm?

Në gjykimin tim, projekti “Uniforma Ime” është projekti më i rëndësishëm për Federatën Shqiptare të Futbollit në 2 vitet e fundit, pas finalizimit të ndërtimit të stadiumit kombëtar “Air Albania” dhe rindërtimi i stadiumit të Kukësit. Së fundmi Federata solli në Shqipëri dhe organizoi me sukses edhe finalen e UEFA Europa Conference League, një sukses për futbollin dhe një ndihmë e madhe për imazhin e vendit tonë.

Por projekti “Uniforma Ime” shkon në bazë, shkon te çdo fëmijë dhe te çdo i ri që luan futboll, shkon aty ku futbolli ka më shumë nevojë. Ndërtimi i një modeli të qëndrueshëm dhe afatgjatë të zhvillimit të futbollit fillon dhe bazohet kryesisht te fëmijët, te akademitë dhe te rritja e zhvillimi i tyre me kushtet më të mira të mundshme, dhe baza materiale dhe seti dinjitoz i lojës e stërvitjes është një prej elementëve të rëndësishëm.

Si erdhi Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së në këtë vendim kaq të rëndësishëm? Ka pasur takime dhe konsultime të mëparshme me klube dhe Akademi të fëmijëve për të sjellë në jetë këtë projekt?

Kjo ide dhe ky projekt nuk lindi sot, ka disa vite që Federata ka në planet e veta implementimin e këtij projekti, si rrjedhojë pikërisht e vështirësive dhe problematikave që akademitë dhe klubet tona kanë hasur. Në vitet e fundit janë bërë shumë investime në infrastrukturën sportive në të gjithë Shqipërinë, investime të cilat kërkojnë buxhete të mëdha, sidomos për një Federatë të vogël si e jona. Me finalizimin e investimeve madhore, dhe duke kaluar dhe periudhën e vështirë financiare dhe jo vetëm të shkaktuar nga pandemia, Komiteti Ekzekutiv gjeti hapësirë dhe buxhetoi këtë projekt duke filluar nga viti 2022 e në vazhdim. Duhet të kihet parasysh se nuk është detyra e Federatës të furnizojë me bazë materiale klubet apo akademitë, por duke pasur parasysh kushtet ekonomike ku ndodhen familjet shqiptare, lind e domosdoshme për Federatën që me të gjitha mënyrat dhe mundësitë që ka në dore të shtyjë përpara sa të mundet zhvillimin e futbollit në vendin tonë, dhe të shoqërisë në përgjithësi. Në vendet e tjera e të zhvilluara, për klubet baza materiale sigurohet kryesisht me anë të sponsoreve të ndryshëm lokalë, dhe shpresojmë që dhe në Shqipëri duke u bazuar në propozimet tona kryesisht për ligjin e sponsorizimeve, të vijë sa më shpejt ky moment edhe te ne. Pra, Federata është duke bërë aq sa ka në dorë, por sigurisht nevojat janë shumë të mëdha, dhe ka shumë faktorë e aktorë të tjerë politikë, ekonomikë dhe shoqëror që duhet të bëjnë detyrën e të japin kontributin e tyre, që fëmijët shqiptarë të kenë të gjithë kushtet e nevojshme si gjithë bashkëmoshatarët e tyre nëpër Europë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *