Drejtuesit e ekipit të Tërbunit po marrin masa për të fituar në ndeshjen që do të zhvillojnë sot në transfertë kundër skuadrës Korabit. Skuadra pukjane ka disa shqetësime, me futbollistë titullarë që kanë probleme shëndetësore, por duket se trajneri Krepi dhe stafi i tij e kanë përgatitur kontigjentin e lojtarëve që do të jenë të gatshëm për të mos dal pa pikë nga Dibra.
Pukjanët synojnë që të konsolidojnë pozitat në pesë vendet e para, ndaj edhe janë të bindur se do të fitojnë në Peshkopi. Jurgen Gjini, sulmuesi i afruar me bujë në radhët e skuadrës pukjane, në një prononcim të dhënë për “Sport Ekspres”, ka pohuar: “Unë luaj për herë të parë kundër Korabit dhe do të bëj më të mirën time për Tërbunin. Në Pukë më kanë vlerësuar shumë, ndaj stafi dhe tifozët pukajnë, por në veçanti presidenca nuk do të zhgënjehet nga unë. Kam ardhur këtu që të shënoj sa më shumë gola dhe të jap më të mirën që Tërbuni ta mbylle në pesë vendet e para. Në Pukë kam gjetur lojtarë shumë cilësorë, madje 3-4 prej nesh kanë qenë edhe titullarë në skuadra të Superiores. Unë besoj se do t’i realizojmë synimet tona”, – ka pohuar sulmuesi shtatlartë, Jurgen Gjini i cili ka eksperiencë në elitë por edhe në Kategorinë e Parë.
Kërnaja – Drejtori sportiv i Tërbunit, Oltijon Kërnaja, është i bindur se skuadra e tij do të tregojë si gjithmonë vlerat e saj më të mira, si zakonisht në transfertë këtë sezon. “Udhëtojmë për fitore, nuk i druhemi Korabit. Kemi treguar që jemi ekip i aftë të marrë pikë kudo, jo më kot kemi 9 pikë jashtë fushe dhe kemi humbur vetëm 2 herë”.
Për sot Tërbuni është pa mbrojtësin titullar Mezini, me probleme shëndetësore.
Formacioni i mundshëm: Rexhepi, Beci, Balaj, Prendi, Zagani, Saliaj, Mezini, Taku, Hasaj, Shaba, Gjini. Trajner: K. Krepi.
Gani Pema