Shqipëria ka humbur me rezultatin 0-2 përballë Anglisë, por megjithëse pësoi një disfarë, fjalët e mira nuk mundojnë për Kombëtare. Ish-mesfushori i kuqezinjve, Andi Lila, ishte i ftuar në emisionin “Sport News Plus” në “News 24”, ku foli pozitivisht për paraqitjen e bërë nga ekipi ynë kombëtar. Lila vlerëson lojtarët për atë çfarë dhënë në fushë, ndërsa shton se Hysaj, Cikalleshi apo Gjimshiti dëshmuan se e meritojnë kalimin në klube të mëdha.
“Nuk do të futem fare nga ana tekniko-taktike. Sot do them vetëm fjalë të mira, është nder i jetës sime. Ishte një ndeshje, ku lojtarët ishin në vitrinë dhe shikoheshin nga menaxherët. Është kënaqësi që këta futbollistë ti shikojmë në stadiumin tonë. Skuadra jonë tregoi një paraqitje shumë të mirë.
Detajet bënë diferencën, Kane bëri diferencën me golin e shënuar, është shumë i rrezikshëm brenda zonës. Hysaj i tregoi të gjithëve që meriton të shkojë te Milani, Cikalleshi të shkojë te Gallatasarai, Gjimshiti te Chelsea. Kjo ishte një ndeshje për t’u shijuar nga të gjithë shqiptarët. I them të gjithë çunave të Kombëtares, urime, dolën me kokën lartë, na nderuan.
Nëse do të shënonte Uzuni, do të flisnim ndryshe, do të flisnim për një rezultat shumë të mirë. Për mua ishte një ndeshje pozitive, rezultatin e le mënjanë. Kundër Polonisë dhe Hungarisë do të bëjmë diferencën. Vendi i dytë është i arritshëm, vendi i katërt dështim.
Kryministri Rama nuk na dha mundësinë që 30 % të ishim në stadium, nuk kisha mundësi, s’kisha biletë, e pashë me miqtë e mi”, u shpreh Andi Lila./Sport Ekspres/