Europiani i 2016 ruan ende kujtime të mëdha për emocionet që çdokush nga ne përjetoi në ato ndeshje të luajtura. Veç emocioneve një debat të ndezur edhe sot e mban formacioni që De Biasi zgjodhi asokohe për të marrë në Francë. Jashtë mbetën lojtarë si Rrahmani, Rashica apo edhe Berat Gjimshiti. Duke parë formën që po kalojnë dy të parë, ish-trajneri i Kombëtares vazhdimisht pyetet nga mediat shqiptare se a veproi gabim me përzgjedhjen e tij.
I bindur që jo, De Biasi ka argumentuar së fundmi se lënia jashtë e lojtarëve të sipërpërmendur ishte sipas llogarive. Në një intervistë të gjatë për “Klan Kosova” tekniku italian shprehet se mosaktivizimi i Gjimshitit te Atalanta ishte arsyeja e parë që në vend të tij të ishte Veseli. Ndërsa sa i përket dyshes Rashica-Rrahmani, 63 vjeçari thotë se edhe ata nuk gëzonin atëherë një formë siç kanë fituar sot.
“Kosova është një skuadër që nuk ka shumë presion. Ka lojtarë shumë cilësorë në sulm por edhe mbrojtje të mirë. Madje edhe stoli i tyre është me lojtarë cilësorë. Besoj se mund të kualifikohet në Euro 2021, edhe për nder të ish-presidentit Fadil Vokrri. Si tifoz i jap fitoren Kosovës në ndeshjen me Maqedoninë, megjithëse ajo ndeshje do të jetë 50-50.
Rahmani dhe Rashica? Nuk ka pasur asnjë marrëveshje mes dy Federatave për t’u larguar nga Shqipëria. Edhe po të luanin atje(në Franëc), ata kanë pasur mundësinë që më pas të zgjedhin Kosovën. Të dy lojtarët nuk ishin lojtarë ata që janë sot, po flasim këtu e katër vite më parë. Rahmani kishte luajtur vetëm me Partizanin kurse Rashica po luante në Hollandë nëse nuk gabojë. Mendoj se ishte një nga ato zgjedhje shumë të vështira për mua, njëkohësisht të dhimbshme, pasi unë kisha marr tre lojtarë më shumë në përgatitjen tonë në Austri. I kam shkruar detajisht të gjitha gjërat, parametrat e aspektit fizik, kualitetin e lojtarëve të ndryshëm.
Me mua në Francë ishin lojtarët më të gatshëm, ata që zgjodha. Jashtë listës kam lënë edhe Berat Gjimshitin, dhe në vendin e tij zgjodha Veselin sepse po luante rregullisht. Gjimshiti ka luajtur në atë kohë vetëm tre ndëshje te Atalanta dhe ato me kërkesën time. I mora në telefon drejtuesit e Atalantës dhe u thashë ta aktivizonin pak sepse nëse nuk e fusni nuk mund ta merrja në Europian. Ata e morën në konsideratë kërkesën time pasi ua lejonte renditja dhe kështu ata e futën në lojë. Por nuk mund të jem unë trajneri që telefonon ekipet dhe tu them që kë duhet të fusin si titullar”- ka thënë De Biasi për Klan Kosova./Sport Ekspres/