Gjimshiti drejt Sasuolos, Liverpuli përgatit ofertën për Strakoshën!

Anton Cicani
Thomas Strakosha mund të largohet nga Lacio. Një lajm ky që sigurisht nuk është se do të mërziste shumë Lotiton dhe Taren, duke qenë se oferta që mund të vijë nga “Anfield Road” do të ishte mëse e kënaqshme. Në fakt, duke parë vështirësitë për të arritur te portieri i Romës, Alison, edhe pse ka ofruar 65 mln euro, pasi gjithashtu edhe Reali është në garë, “reds” janë duke përgatitur një plan “B” dhe ai ka të bëjë me portierin e Shqipërisë. Lajmi është publikuar në edicionin e djeshëm të gazetës “Il Messaggero”, që është pranë zhvillimeve në klubet e Romës, Lacio dhe Roma. Oferta që mund të vijë nga Liverpuli është 30 mln euro dhe do të kënaqte kërkesat e Lacios, që e vlerëson 25 mln euro dhe sipër, duke e parë si tepër premtues.

Në fakt, në sezonin e sapombyllur, Thomasi ka qenë fantastik dhe në statistika ka kaluar edhe shumë portierë të tjerë të rëndësishëm. Ai ka luajtur thuajse të gjitha ndeshjet këtë sezon, teksa vetëm pak kohë më parë rinovoi kontratën që i skadonte në vitin 2019 deri në 2022, duke përfituar nga 100 mijë euro, pasi kishte dalë nga Primavera dhe vinte pas huazimit te Salernitana, te 1 milionë eurot në sezon. Një rrogë që Liverpuli jo vetëm që nuk e ka problem, por mund t’ia çojë deri në 2,5 milionë euro në sezon.

Ndërkohë, një tjetër futbollist shqiptar mund të bëjë hap cilësor dhe flitet për Berat Gjimshitin e Atalantës, pasi ka mbaruar huazimi te Benevento. Gjimshiti ndiqet me vëmendje nga Sasuolo, sipas medieve italiane dhe, në rast se trajneri i Beneventos, De Zerbi, do të merrte drejtimin e ekipit të Emilia Romanjas, pas largimit të Iakinit, atëherë padiskutim që do të merrte me vete edhe mbrojtësin, që e konsideron si një element të çmuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *