Duhet të ishte thjesht një rikthim për të mos qëndruar dhe për të gjetur një tjetër destinacion, por siç duket, Berat Gjimshiti do të jetë pjesë e Atalantës sezonin që sapo ka nisur dhe konfirmimi ka ardhur në sfidën e parë të Serisë A për këtë edicion, përballë Frozinones.
Trajneri Gasperini, që e ka ndjekur me vëmendje rritjen e tij në Serinë B me Avelinon dhe me Beneventon sezonin e shkuar në Serinë A, i dha një shans, të cilin mbrojtësi shtatlartë kuqezi e shfrytëzoi në maksimum. Në fakt, askush nuk e priste titullar në përballjen me Frozinonen nga minuta e parë, teksa në stol ishte i riu Mançini, që do t’I marrë vendin shqiptar në Europa League, një farë rotacioni.
Por, janë shifrat ato që flasin “pro” Gjimshitit: në sfidën e fundit, sipas statistikave të “ËyScout”, kuqeziu ka rikuperuar 20 topa, më shumë se kushdo në mbrojtjen bluzi, duke mos hasur asnjë vështirësi.
Ditët e fundit të merkatos jashtë Italisë po afrojnë, por Gjimshiti vështirë se do të lëvizë, vetëm nëse Gasperini zgjohet një ditë dhe ndryshon totalisht mendje…