Safet Gjici e ka seriozisht kur flet për revolucion te Kukësi. Shitja e Sindrit Gurit duket se i ka ndryshuar këndvështrimin për shumë gjëra dhe tashmë është i bindur që klubi duhet të reformohet.
Peter Pakult është trajneri i duhur për të zhvilluar talentet si Guri, Nderim Nexhipi është personi i duhur për të komunikuar me skuadrën, për të ndërlidhur trajnerin me presidentin dhe për të zbuluar lojtarë, ndërkohë që në të ardhmen do të jetë Shkumbin Qormemeti menaxheri që do të veprojë për llogari të Kukësit, kur bëhet fjalë për transferime jashtë Shqipërisë.
Në këtë aspekt, Gjici është i prerë dhe në një intervistë për “Report TV” shpjegon pse ka vendosur të largojë nga stafi drejtues Naim Halilin, i cili prej vitesh ishte i pranishëm te Kukës dhe është përmendur shpesh, për mirë e për keq.
“Menaxherin Halili, e kam marrë jo se ka pasur ndonjë dijeni për fushën që ka mbuluar, por më shumë e kam marrë si kuksian. Ka qenë krahu im i djathtë deri diku në aspektin e menaxhimit, por me thënë të drejtën më ka zhgënjyer në disa menaxhime që nuk ka pasur as autoritetin, as përvojën as nuk ka qenë i aftë për t’i menaxhuar. Nuk është marrë shumë me klubin, ka pasur kritika herë pas here edhe në takimet që unë kam bërë me stafin. Ai nuk e ka zbatuar atë që i kam thënë unë, është marrë me punë të tjera që nuk kanë lidhje me klubin. Është vendimi im që të vijë dikush tjetër, që të vijë dikush që e njeh më mirë tregun e lojtarëve, brenda dhe jashtë vendit. Shkumbin Qormemeti e tregoi veten në transfertën që bëri me Gurin. Do ta kemi të pranishëm në lidhje me çdo lojtar që do të ketë premisa për të shkuar lart.
“Do rritim stafin, në futboll nuk merret: “hajt se ky është kuksian dhe ta marrin në menaxhim”. Duhet parë nëse bën apo nuk bën për punën. Ka ardhur koha që ne t’u japim prioritet edhe stafeve. Ne kemi marrë ‘timonierin’ e ekipit, që është trajneri Pakult, një trajner me përvojë, korrekt dhe me disiplinë. Ai do patjetër edhe stafin që të bashkëpunojnë ashtu siç ka linjën e vet të korrektësisë dhe disiplinës. Ndoshta Naimi nuk iu përgjigj kësaj disipline dhe kërkese llogarie, dhe për rrjedhojë morën edhe vendimin për ta larguar nga klubi”, deklaroi ndër të tjera presidenti i Kukësit.