Çfarë po ndodh në raportin mes presidentit të Kukësit dhe trajnerit të tij Milinkoviç dhe si ka mundësi që presidenti, i cili kërkon gjithnjë vetëm të fitojë, nuk e ka vënë asnjëherë në diskutim trajnerin, pavarësisht se ndoshta gara për titull nuk është më aq e arritshme. Mesa duket këtë radhë nuk kanë vendosur as rezultatet e as mënyra e lojës.
Burime pranë klubit kuksian bëjnë me dije se presidenti, nëse do kish dashur do ta kish shkarkuar trajnerin ose do e kish larguar, ca më shumë pasi ky i fundit pas humbjes me Partizanin ka shkuar në zyrën e numrit 1 të klubit dhe ka thënë: “Unë po iki, sepse ndoshta këtë ekip nuk nxjerr dot kampion”. Gjici ka reaguar menjëherë: “ti nuk ikën vetë, nëse do ikësh do të shkarkoj unë. Vazhdo punën i qetë dhe mendoni për merkaton e janarit”. një situatë disi ndryshe për një klub ku presioni për rezultatin ka ekzistuar gjithnjë. Burimet pranë klubit bëjnë me dije se, sidomos mënyra se si punon trajneri dhe se si ai raportohet me presidencën, e kanë bindur Gjicin, që pavarësisht rezultateve, trajneri nuk duhet të preket.
Kukësi ndoshta nuk është për kampion – përpara ka një test të vërtetë me Skënderbeun në Korçë – por sigurisht që me pak kujdes mund të kapë kupat e Europës dhe në këto kushte të ndërrosh trajnerin në këtë situatë, me siguri nuk do ishte inteligjente. Megjithatë diçka nga premtimet e verës kanë ikur. Superkupa, kampionati dhe Kupa. Kampionati ka ende ndonjë finale, kupa pastaj mbetet për t’u luajtur. Superkupa u humb.