Diego Longo ka folur në studion e emisionit “Skaner” në “MCN TV” për Kukësin e tij. Trajneri italian është shprehur se nuk ka parë në asnjë vend tjetër që një ekip në një situatë të tillë si Kukësi të pretendojë për titull kampion. Për të vendi i parë nuk është një objektiv dhe thekson se ekipi po lu.fton për një ëndërr. Gjithashtu shton se nuk ndjen presion për të fituar titullin kampion.
“Nuk di të them nëse është apo jo e drejtë renditja, por ata që kryesojnë e meritojnë. Për mua, për lojtarët që ka, Partizani duhet të jetë në dy vendet e para. Vlerat që kanë skuadrat, nuk reflektohen.
Ka disa skuadra të tjera që janë ndërtuar për të fituar titullin, si Tirana, Partizani dhe Vllaznia. Ne jemi një skuadër që lufton për një ëndërr, por do të shikojmë në mars se çfarë do të ndodhë.
Natyrisht që presidenti mendon për titullin, por luan skuadra dhe jo ai. Presidenti është ambicioz, ashtu si unë, por duhet parë si janë skuadrat. Duhet të dimë edhe nga kanë ardhur skuadrat. Duhet të dimë ku kemi qenë sezonin e kaluar. Kukësi ka ndryshuar 15-16 lojtarë dhe trajner. Në memorien time nuk di ndonjë skuadër që ka dalë kampione në situatë të tillë. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të luftojmë Ky është realiteti. Buxheti bën diferencën. Unë jam italian dhe kampionatet në Itali duhet t’i fitojë Juventusi dhe Interi.
Deri tani kemi bërë shumë mirë dhe jam i lumtur, nuk do të ndryshoja asnjë nga lojtarët e mi. Në ekip ka entuziazëm.
Partizani ka qenë skuadra që na ka vendosur realisht në vështirësi. Kemi vuajtur idenë për të luajtur me Partizanin. Edhe ndaj Dinamos, ishte një ndeshje ku mund të bënim mirë. Sinqerisht në ndeshjen me Tiranën nuk kemi vuajtur, siç ndodhi me Partizanin. Tirana është një kategori tjetër, por ishte një ndeshje e tillë, jo aq e vështirë si ndaj Partizanit dhe Dinamos.
Në Kupë duhet të shkonim në shtesë. Ne e shënuam edhe golin e dytë dhe na u anulua.
Pikat e forta të Kukësit, janë se ka një dispozicion të madh nga lojtarët, sepse nuk është e thjeshtë të pranojnë një trajner të ri me ide te tjera. Kjo më ka lejuar të krijoj një grup shumë të fortë dhe të bashkuar dhe kjo është arma jonë e rëndësishme.
Pikat e dobëta mund të vijnë nga eksperienca. Jemi përmirësuar pas këtyre ndeshjeve. Marr parasysh ndeshjen me Teutën, që duhet ta kishim fituar. Në 4 ndeshjet e fundit, kemi treguar se jemi duke bërë shumë mirë.
Kemi disa lojtarë që po bëjnë shumë mirë. Mua më pëlqen shumë, që në 11 ndeshjet tona, kanë shënuar 10 lojtarë të ndryshëm. Prandaj them, se të Kukësi është sekreti grupi.
Për ne titulli është një ëndërr, do të bëjmë gjithçka. Realisht nuk e ndjej atë presionin që duhet të fitojmë titullin. Do të bëjmë më të mirën, por nuk ndjej presion. Nëse ndodh kështu, çfarë duhet të themi për presidentët e tjerë.
Do të vijnë dy lojtarë në merkato, për të zëvendësuar Gashin dhe Rapon e larguar, për pjesën tjetër jam i kënaqur me ata që kam në skuadër.
Kalendari? Edhe unë si Gjici, në 4 ndeshjet e radhës, dua 12 pikë. Tirana do të luajë ndaj kundërshtarëve që përballen me ne. Këto janë sfida që të motivojnë dhe janë sfida për t’u luajtur.”, është shprehur Diego Longo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/