Mbrëmjen e sotme janë luajtur ndeshjet e para çerekfinale të Ligës së Kombeve. Në “San Siro” ka dalë triumfuese Gjermania. “Pancerat” përmbysën Italinë me rezultatin 1-2. Tonali shënoi i pari në minutën e 9, por më pas Klajndinsti në minutën e 49 dhe Goretcka në të 76-n i dhanë fitoren Gjermanisë.
Ndërkohë Kroacia ka befasuar Francën, duke e mposhtur me shifrat 2-0 me anë të golave të Budimirit (26’) dhe Perishiçit (45’+1’). Fitore ka pasur edhe për Danimarkën, e cila e ka shfrytëzuar më së miri atmosferën e jashtëzakonshme të tifozëve përballë Portugalisë. Ndeshja u vendos nga Hojlundi në minutën e 78.
E vetmja ndeshje që përfundoi në barazim ishte ajo mes Hollandës dhe Spanjës. Iberikët kanë barazuar me shifrat 2-2 në transfertë. Për Hollandën shënuan Gakpoja (28’) dhe Rajndersi (46’), ndërsa për Spanjën e dërguan topin në rrjetë Niko Uilliamsi (9’) dhe Merinoja (90’+3’)./Sport Ekspres/