Gjermanët çuditen nga emri i futbollistit të Shqipërisë, Klaus Gjasula mund ta vazhdojë karrierën në VAR: Arbitër nuk bëhem dot nga mosha…

Klaus Gjasula ka dhënë një intervistë në mbrëmjen e djeshme për “Super 2”. Gjermanët vazhdojnë që të jenë të habitur për faktin se Klausi dhe Jurgeni kanë një emër tipik gjerman, nga ata të vjetrit, që u janë vendosur që kur lindën në Shqipëri. Asokohe familja e tyre jetonte në vendin tonë dhe nuk kishin asnjë lidhje me Gjermaninë.

Por vetë Klaus Gjasula ka shpjeguar edhe historinë e emrit, që lidhet me një film gjerman. “Emri më është vendosur nga gjyshja. Për shkakun e një filmi gjerman që është ndjekur shumë nga familjarët tanë në Shqipëri, aktori kryesor i atij filmi e ka pasur emrin e tij të vërtetë Klaus Jurgen. Për këtë arsye mua më kanë quajtur Klaus dhe vëllain tim, Jurgen”, shpjegon Gjasula.

I pyetur për heqjen e helmetës, mesfushori nënvizon: “Kur do të luaja me Ingolstad, kisha helmetën në dorë rreth 20 sekonda para se të niste ndeshja. Ta vendosja apo jo? Edhe vetë nuk e kisha marrë vendimin. Pastaj vendosa që ta heq pasi te Hamburgu kam kaluar vitin tim më të keq dhe doja që ta nisja nga zero, një fillim të ri. Pastaj ishte edhe një vapë e tmerrshme që të rriste temperaturat në kokë”.

Dikur Gjasula është shprehur se arbitrat në Gjermani duhet të kenë qenë dikur lojtarë profesionist, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’i interpretojnë disa situata më mirë dhe të kuptojnë kur futbollistët “po aktrojnë”.

Teksa pyetet nëse do të vazhdojë rrugën e arbitrimit, Gjasulës nuk i premton vetëm koha, dëshira është: “Gjermania ka një moshë të caktuar për arbitrat, deri në 45-vjeç. Duke llogaritur se unë do të lë futbollin në moshën 35-vjeç, nuk kam shumë kohë.

Në fillim do të dërgojë në nivelet më të ulëta të futbollit dhe kërkon shumë kohë që të ngjitesh për nivelet më të larta”, tha Gjasula. Në fund gazetarët e ngacmojnë disi duke i propozuar një vend në selinë qëndrore të VAR në Gjermani që gjendet në Koln: “Do të ishte shumë pozitive”, përfundoi Gjasula. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *