Kalimi i grupeve në Kampionatin Europian duket se nuk ishte thjesht një rastësi për Gjeorgjinë. Këta të fundit kanë vazhduar formën e tyre mjaft pozitive edhe në Ligën e Kombeve. Gjeorgjianët kanë shkëlqyer sot kundër Republikës Çeke, të cilën e mposhtën me rezultatin e thellë 4-1.
Goli i parë i takimit u shënua nga Kvaratskhelia në minutën e 33-të. Futbollisti i Napolit fitoi një 11 metërsh, të cilin më pas po ai e shndërroi në gol. Ndërkohë tre golat e tjerë u shënuan në pjesën e dytë të ndeshjes për gjeorgjianët. Chakvetadze dyfishoi shifrat në minutën e 53-të, ndërsa në të 63-tën ishte Mikautadze ai që e çoi rezultatin në 3-0.
Goditja përfundimtare për çekët do të vinte vetëm 3 minuta më vonë, kur Kochorashvili shënoi golin e 4-t për Gjeorgjinë. Republika Çeke u kundërpërgjigj në minutën e 80, por goli i Kalvach-it i vlen vetëm statistikave. Ndeshja e radhës për Gjeorgjinë do të jetë kundër Shqipërisë në 10 shtator në “Air Albania”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/