Në futboll ka yje që zbresin në fushë, ka trajnerë që dinë si t’i vendosin në fushë, por ka edhe mjeshtra që veprojnë pas “perdes”, që gjejnë talente dhe i bindin të firmosin, mundësisht duke shpenzuar pak e due fituar shumë.
Një ndër ata që punën e “Sherlok Holmsit” e bën në mënyrë të mrekullueshme është Igli Tare, një gjeni i vërtetë, jo thjesht se është shqiptar dhe na pëlqen ta ngremë lart, sepse na bën krenarë.
Edhe në Itali ia njohin vlerat dhe tifozët e kanë votuar se fundi si drejtorin sportiv më të mirë në Itali. Fati i Lacios, merita e Klaudio Lotitos, i cili e ka zbuluar, i ka dhënë besim dhe tani i ka dorëzuar çelësat e klubit kryeqytetas.
Tare ka ndërtuar një perandori të vogël suksesi, duke zbuluar talente e duke i shitur me shifra të jashtëzakonshme. Shihni Milinkoviç Saviç, i cili që tani vlen mbi 50 milionë euro dhe u ble për shumë më pak.
Lëvdatat nuk kanë fund, por kur flet një si Arrigo Saki, duhet dëgjuar me vëmendje, sepse trajneri legjendar ka bërë historinë e futbollit modern.
“E kam marrë në telefon Taren dhe i kam bërë komplimente, i sheh lojtarët si pak të tjerë. Lacio luan shumë mirë, pa stres e më ide të mira. Nuk njeh takticizma dhe kjo e bën një skuadër zbavitëse, në shtëpi e jashtë fushe”, shprehet Saki, në një intervistë për Gazzetta dello Sport.