Një klub profesionist dallohet që nga mënyra se si e prezanton veten. Zyra e shtypit të jep impaktin e parë gjithmonë. Të shohësh mënyrën se si e paraqet veten ekipi i Karabakut dhe Kukësi diferenca bëhet menjëherë. Duke u bazuar te postimet e fundit shohim dhe mënyrën se si po e presin azerët ndeshjen kundër Kukësit në stadiumin “Loro Boriçi”.
Posteri i ndeshjes dhe reklamimi i sfidës së sotme ka si personazh kryesor Ansi Agollin. Mbrojtësi shqiptar që luan prej vitesh në skuadrën e Karabakut do të përballet me një ekip shqiptar në Champions. Klubi i Karabakut duke ditur rëndësinë emocionale të ndeshjes i ka dhënë më shumë krah Agollit duke e vlerësuar para sfidës.
Nga krahu tjetër, interesant është fakti, që në qendër të vëmendjes ishin dhe Admir Teli e Nderim Nexhipi. Të dy futbollistë që kanë veshur fanellën e ekipit të Karabakut. Nuk mund t’i shpëtonte diçka e tillë zyrës së shtypit të Karabakut. Të dy ish-futbollistët ishin të pranishëm në seancën e djeshme stërvitore të Karabakut. Nexhipi në rolin e drejtorit sportiv të Kukësit, ndërsa Teli si dashamirës futbolli.
Trajneri i ekipit, Qurban Qurbanov, foli para sfidës me Kukësin dhe mendon se skuadra e tij do ta fitojë ndeshjen që në Shkodër. “Kam dëgjuar deklaratat e lojtarëve të Kukësit. Ata besojnë se mund të marrin një rezultat pozitiv, flasin me besim. Ne i kemi studiuar mirë. Kemi pak probleme, por do të përpiqemi që të mos i shfaqemi. Duam të largohemi me rezultat pozitv nga Shkodra”, – u shpreh ai.