“Gjen vend edhe Shqipëria, por jo ne”/ Në Brazil shqetësohen me listën e talenteve më të shtrenjtë në botë

Nëse nuk mund të quhet si vendi i futbollit, për shkak se origjina e këtij sporti vjen nga një tjetër shtet, padyshim që Brazili është “shtëpia” që e ktheu këtë lojë në magji për sytë e shikuesëve. Në gjithë këto vite ka pasur emra të shumtë që përfunduan të shkruara me gërma të arta në futboll që vinin nga Brazili, për t’i dhënë një tjetër hijeshi këtij sporti me spektaklin që ofronin.

Fundja jo më kot edhe fëmijëve u mësohet që në formimin e tyre se “goli” do të jetë nëse arrijnë të driblojnë kundërshtarin. Jo për të qenë cinik, por për të bërë art. E për këtë arsye në Brazil kanë gjithë të drejtën legjitime për të kërkuar që të pushtojnë formacionet më të mira.

“Transfermarkt” do të zbulonte disa kohë më parë formacionin më të kushtueshëm nën moshën 21-vjeç në botë. Ajo që bie në sy për median në Brazil, “Uol.br”, është se në këtë listë ka edhe një lojtar që i përfaqëson Shqipërinë, por asnjë brazilian.

“Përzgjedhja e lojtarëve deri në 21 vjeç, që janë më të shtrenjtë në futbollin botëror sot ka vend për përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara, Kanada, Norvegjia dhe madje edhe nga Shqipëria, por jo për sportistët e lindur në Brazil. Sipas “Transfermarkt” asnjë djalë nga “vendi i futbollit” nuk është aq i vlefshëm sa të bashkohet me ekipin ideal nën-21 vjeç në planet”, shkruhet në artikull. Ajo që vihet re gjithashtu në këtë listë është fakti se Franca kryeson me tre lojtarë, duke premtuar së tepërmi edhe me brezin e së ardhmes. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *