Kukësi arriti të marrë një fitore me shumë peshë kundër Egnatias në shifrat 1-2. Verilindorët përmbysën ndeshjen që për një moment u duk si e mbyllur. Menjëherë pas takimit, kapiteni Gjelbrimi Taipi ishte i ftuar në “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari. Lojtari ka treguar me sinqeritet edhe ndikimin që ka nga komentet e tifozëve pasi në ekip ndodhet edhe vëllai i tij, Shqiprimi.
“Jemi ekip që nuk duhet të jemi në këto pozitat e fundit, kemi shumë cilësi në ekip. Uroj dhe besoj se pas kësaj fitore, nuk do të përsërisim gabimet individuale si ka ndodhur më parë. Kemi gabuar disa herë dhe kundërshtarët kanë përfituar. Duhet të dalim sa më shpejt nga zona e ftohtë. Nuk duhet të jemi euforik dhe të flasim për Europën apo gjëra të tilla, por sa më shpejt të dalim nga këtu ku gjendemi. Diferenca mes vendit të 4 dhe të 9 është 6 pikë, ekipet janë aty, kjo është e bukura e kampionatit shqiptar.
Të luash me vëllain në ekip? Kur fitohet, është e lehtë, por kur humbet, është shumë e vështirë. Ne jemi të dy vëllezër, luajmë në formacion të parë dhe nuk është fare e lehtë kur ekipi humbet, përgjegjsia bie mbi ne. Megjithatë ne luftojmë për njëri-tjetrin. Shqiprimi është më interaktiv se mua dhe më ndihmon shumë. Normalisht që i lexojmë komentet e tifozëve në rrjetet sociale, jemi të gjithë pjesë e kësaj bote. Kur ekipi humbet, tifozët kërkojnë që përgjegjësia të bie mbi mua dhe Shqiprimin, kërkojnë më tepër. Por ata kanë të drejtë të kritikojnë”, tha Gjelbrimi. /Sport Ekspres/