Tirana arriti që të merrte 7 fitore radhazi në Superiore, por e ndali hapin e saj kundër Skënderbeut. Në barazimin me shifrat 1-1 është mbyllur edhe ecuria pozitive e bardhebluve, për t’i lënë vendin një pike të marrë.
I ftuar në emisionin “Pressing” që transmetohet në “Abc News” ishte Gentian Muça. Ky i fundit ka mbrojtur trajnerin Egbo, duke thënë se fitorja në Shkodër erdhi falë ndërrimeve që ka bërë. Gjithashtu mbi pikën e marrë nga Skënderbeu, e ka quajtur si një lojtari të fituar.
“Tirana bën lajm më shumë kur barazon, se kur fiton. E dinim që në momentin e parë që do gabonim, do vinin këto reagime. E dinim që do flitej edhe për ndërrimet, por me ato ndërrimet e Egbo fituam në Shkodër. Është pjesë e lojës të jesh në presion. Diferencat në skuadra janë të vogla. Asnjë skuadër nuk është e lehtë të kalohet. Nuk është fundi i botës që barazuam. Më mirë që ndodhi tani, që të zgjohemi.
Jemi shumë të qetë, vazhdojmë punën. Kemi entuziazëm para ndeshjes. Edhe po të fitonte Kukësi., nuk do e kisha aspak problem. Është më mirë kur mbështetesh te këmbët e tua.
Nga mënyra si shkoi loja, barazimi ishte i drejtë. Provuan lotarinë dhe i doli Skënderbeu. Për meritë të tyre dhe për fajin tonë. E kishin provuar 9 ekipe të tjerë dhe e thanë edhe ata që do marrin pikë. Qëlloi që morën”, ka thënë Muça. /Sport Ekspres/