Një vit më parë Partizani prezantonte plot pompozitet e premtime trajnerin Mark Juliano dhe përforcimet e tjera nga Italia.
Që atëherë kanë ndodhur shumë gjëra, Partizani ka ndërruar disa trajnerë dhe ka pasur shumë zhgënjime, por të paktën do të luajë në Europa League këtë verë, edhe pse jo për meritën e vet.
Sot e ka pasur radhën Skënder Gega të prezantohet dhe të flasë për herë të parë si trajner i kuq dhe të shpalosë planet e ambiciet e tij, në një klub ku nuk është e lehtë të arrish sukses, duke parë se prej dekadash mungojnë trofetë.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që jam këtu, që bëhem pjesë e projektit të Partizanit, me një mentalitet të ri dhe një projekt të ri. E kam pasur fatin dhe privilegjin që të jem pjesë e Partizanit kur kam qenë sportist dhe jam krenar që kthehem të jem pjesë e Partizanit.
“Kemi bërë një marrëveshje për një projekt ku së bashku me klubin do të kemi disa synime të qarta që në fillim, jo aq për nga produktshmëria, sesa për nga mënyra si do të punojmë. Janë shumë gjëra që do i kapim në detaje, çdo ditë, duke punuar. Personalisht mendoj se klubi ka probleme, ekipi ka probleme, disa lojtarë janë larguar. Jemi në bisedime për të afruar lojtarë të rinj, por varet nga klubi, sepse është njën ndërmarrje që e llogarit shumë mirë buxhetin, por do të shohim në vazhdim.
“Them se ndihem shkëlqyeshëm, sepse e njoh kampionatin shqiptar, njoh pjesën më të madhe të lojtarëve, një pjesë e lojtarëve që janë sot 24-25 vjeç kam pasur fatin t’i drejtoj, ndaj nuk besoj se do kem probleme në drejtimin në Superiore.
“Do kisha dëshirë që edhe me mediat të kemi një marrëdhënie profesionale, duke respektuar pozicionet e njëri-tjetrit. Së fundi, dua ta dinë të gjithë që nuk dua të bëj analizën e së shkuarës dhe as të miqve të mi, secili ka një cikël, por dua të kontribuoj sa më gjatë dhe dua të jem pjesë e historisë siç kam qenë edhe si futbollist.
– Sa ju tremb historia e Partizanit, pasi titulli mungon prej vitesh dhe presioni është i madh?
– Përgjegjësia është e madhe, por ky klub ka histori të madhe dhe është normale. Shpirtërisht jam i lidhur me Partizanin dhe do doja që në 5 vitet e fundit të ishin fituar 25 kupa, por mendoj se duhet parë përpara, çfarë ka ikur, ka ikur. Besoj se i kemi të gjitha mundësitë që të bëhemi klub elite, të jemi një klub model, të punojmë si profesionistë dhe të ndryshojmë mentalitet, jo thjesht të synojmë një kupë. Përgjegjësia është e madhe, sepse Partizani nuk e nis kurrë kampionatin pa pretendime dhe do ketë edhe këtë vit, por duke kompletuar ekipin dhe duke u stërvitur në fushë do të jem më i qartë dhe do t’i shfaqim pretendimet në fushë.
– Megjithatë, duket se nuk del koha për të ndërtuar një Partizan dinjitoz për Europa League.
– Është e vërtetë, koha është e paktë, duhet të vrapojmë. Për fat të mirë, Liga e Europës nuk është synimi madhor i Partizanit, plani është më afatgjatë. Ideja ime është që ekipi ndërtohet nga themelet, ndaj do të mundohemi të afrojmë shumë lojtarë të rinj, edhe nga Akademia edhe nga tregu, duke menduar për të ardhmen.
– Çfarë i nevojitet skuadrës, ku do të synoni përforcime?
– E kam ndjekur Partizanin që para emërimit si trajner. Partizani ka nevojë për ndërhyrje në të gjitha repartet, por çdo gjë do të varet edhe nga buxheti, do të shohim. Megjithatë, një lojtar i mirë bëhet nëpërmjet punës, jo kostos dhe kontratës që kërkon.
– A ka një bosht lojtarësh Partizani, ku do të bazoheni?
– Po, Partizani e ka boshtin e vet, ka lojtarë me potencial dhe të tjerë që mendojmë se me disiplinë e punë mund të rriten. Ka mënyra të ndryshme për të menaxhuar një ekip, me huazime, me afrime nga ekipet e moshave, të shohim duke punuar ditë pas dite.
– Me Skënderbeun e dënuar dhe Tiranën e rikthyer, a është kampionati më i lehtë për Partizanin?
– Skënderbeu ka qenë ekip superior këto vite, edhe Kukësi ka punuar shumë mirë dhe ka bërë histori këto vitet e fundit, duke u futur në elitë. Luftëtari në dy vitet e fundit ka bërë paraqitje të jashtëzakonshme. Duhet respekt për të gjithë kundërshtarët, por më e rëndësishmja është të respektojmë veten tonë, ta dimë kujt i përkasim dhe çfarë kërkohet nga ne.
– Rivali më i fortë sipas jush?
– Kampionati shihet gradualisht, rivali shihet çdo ditë, nuk flitet para kohe. Mendoj se ekipet janë të zakonshmet, Skënderbeu, Tirana, Kukësi e Luftëtari, pa injoruar Teutën apo ekipet e tjera.
– Roli si qendërmbrojtës gjatë karrierës si futbollist, ndikon në skemat si trajner?
– Unë e kam nisur si sulmues, por më pas trajneri Bajko më transformoi në qendërmbrojtës. Si trajner, gjithçka varet nga grupi që do kemi. Nëse kemi grup me shumë sulmues, do të luajmë lojë sulmi. Nëse ke cilësi, gjen mënyrën për të luajtur me skema të ndryshme nu thuhet para kohe si do luajë ekipi.
– Titulli mungon prej vitesh, por edhe disiplina mungon prej kohësh në ekip. Cilën do ktheni të parën?
– Partizani ka pasur gjithnjë disiplinën në plan të parë. Do jem gjithnjë i drejtë dhe çdo lojtar do të marrë atë që meriton, nuk do të toleroj askënd dhe klubi ka rregulloret e brendshme që do të zbatohen.
– Batha e Fejzullahi pritet të mos rinovojnë. Largime të rëndësishme?
– Patjetër. Fejzullahin e njoh mirë, e kam afruar te moshat e Shqipërisë. Ata kanë bërë zgjedhjet e tyre. Nëse do ishin këtu, do ishin sërish në provë, çdo ditë është një sfidë e re. Nëse kthehet Batha, nëse kthehet Fejzullahi, do kishim më shumë alternativa.
– Tifozët presin titull.
– Është normale, suksesi mungon prej vitesh. Besoj se do u rikthejmë shpresën, or tifozët duhet të kenë të qarta pozicionet, rolin e tyre.