Gazmend Demi shpërthen për ligjin e sponsorizimeve: Tallje me futbollin, do katandiset “kokoshi një thelë”!

Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, ka dalë hapur kundër projektligjit të ri për sponsorizimet në sport, art dhe kulturë. Ndonëse ky ligj ishte kërkuar prej kohësh nga klubet shqiptare dhe veçanërisht nga futbolli, mënyra se si është hartuar nuk i ka kënaqur drejtuesit e sportit.

Në një intervistë për Report TV, Demi e ka cilësuar ligjin si të paplotë, duke vënë në pikëpyetje tavanin prej 3 miliardë lekësh të rinj në vit dhe mënyrën se si do të shpërndahen fondet.

“Është një ligj i gjysmuar. Po thonë se do jepen 30%, por nuk jep as 30 as asgjë sepse i ke vendos tavan. Si biznesit si dhe sa do merren. Kush do marrë më përpara arti, kultura apo sporti? Do katandiset ‘kokoshi një thelë’. Do marri kombëtarja pak më shumë ndërsa ne do jemi prap …. Domethenë do tallen me ne”, deklaroi presidenti i Partizanit.

Demi ka propozuar që fondet të ndahen në mënyrë më të qartë, duke kërkuar që sporti të ketë një përqindje të përcaktuar dhe të mos jetë në varësi të vendimeve të tjera.

“Ta ndajnë. Le ta bëjnë 10% dhe 10 sportin, por të jetë e lirë dhe të kontrollohet”, u shpreh ai.

Një tjetër çështje që ka ngritur shqetësim te presidenti i të kuqve është përjashtimi i kompanive të basteve nga mundësia për të sponsorizuar sportin, në rast se ato bëhen të ligjshme.

“Dje pashë futbollin në Itali. Këtu te ne nuk do lejohet të sponsorizojmë kompanitë e basteve pavarësisht se për momentin nuk ka. Po si ore e gjithë bota i lejon, ndërsa ne jo. A jemi ne më mirë se gjithë bota?”, tha Demi.

Ai ka komentuar gjithashtu edhe kufirin e përgjithshëm të financimit, duke argumentuar se një fond më i madh do të sillte përfitime edhe për shtetin, përmes taksave dhe formalizimit të klubeve.

“Nëqoftëse do bëhet 100 milion, por qoftë edhe 50 milionë. Unë e jap me garanci: nëqoftëse do jepen 50 milionë nga shteti gjysma do rikthehet prap përmes taksave në shtet. 25 do shkojnë në fund. Pse? Do paguhen sigurime shoqërore më shumë. Do formalizohen të gjithë se sot s’jemi 100%, por kjo nesër do të ndodhë”, deklaroi ai.

Në vijim, Demi ka kritikuar edhe ministrin Blendi Gonxhja, duke thënë se sporti nuk po merr vëmendjen e duhur në këtë projektligj.

“Ky ministri është djal shumë i mirë, unë kam vite që e njoh, por s’ka lidhje me sportin. Ai mund të jetë i lidhur me artin dhe kulturën. Sipas dëshirës ai atje do ti dërgojë. Do bëhet një mish-mash sa ne do fillojmë të zihemi me njëri-tjetrin. Që të bëhet sa më mirë kryministri ta shohë me ekspertët e vetë. Ministri ynë nuk di akoma se çfarë është duke u bërë për sportin. S’ka ardhur njëherë në kantierin e Partizanit. Ka ardhur kyeministri Rama dhe ka mbetur i mrekulluar. Le ta bëjmë siç duhet ligjin.”

Kështu, presidenti i Partizanit kërkon rishikimin e projektligjit, duke insistuar se sponsorizimet duhet të krijojnë mundësi reale financimi për klubet dhe jo të mbeten vetëm një premtim në letër. /Sport Ekspres/