Nga qershori deri në nëntor, 5 muaj të artë për Skënderbeun, që nuk mund të mos reflektoheshin edhe në vlerësimin e lojtarëve në tregun ndërkombëtar. Transfermarkt.de, faqe e specializuar që bën një vlerësim të përafërt të vlerës së lojtarëve, e ka rritur vlerën e Gledi Micit në 425 mijë euro, nga 375 mijë që ishte në qershor. Një rritje konstante për Micin, por nuk është vetëm ai që ka pasur rritje të jashtëzakonshme.
Bajram Jashanica tani vlen 525 mijë euro në treg, krahasuar me 350 mijë eurot e qershorit. Edhe Gavazaj ka shkuar nga 300 mijë në 500 mijë, Dita nga 300 në 425 mijë dhe Taku nga 300 në 400 mijë. Më i vlerësuari mbetet Sabien Lilaj, vlera e të cilit ka shkuar nga 500 mijë në qershor në 625 mijë euro këtë muaj. Ndërkaq, vlera e gjithë skuadrës është rritur, duke shkuar në 7.5 milionë euro, shumë më lart se Kukësi e Partizani, që nuk e kapin vlerën e 6 milionë eurove.