Mesfushori elbasanas thekson se skuadra e tij nuk e meriton fundin e tabelës: Në Kukës japim gjithçka, nuk kemi çfarë të humbasim
Arjan Likja
Duhet të përqendrohemi vetëm te ndeshja e radhës, pasi nuk kemi çfarë të humbasim”, – thekson në nisje të një prononcimi për “Sport Ekspres” mesfushori elbasanas i Lushnjës, Orges Gava, i cili është titullar i padiskutueshëm. “Më vjen sinqerisht keq, që ndodhemi në këto pozita aspak komode në klasifikim. Këtë e them pa hipokrizi, pasi bazohem në ato çfarë kemi dhënë deri tani në të gjitha ndeshjet. Pa mohuar faktin se disa humbje kanë qenë plotësisht të merituara, pra për fajin tonë, në disa ndeshje të tjera pikët na kanë ikur nga duart edhe pse kemi qenë më mirë se kundërshtari. Mjafton të përmend takimet ndaj Flamurtarit dhe dy ndeshjet ndaj Kamzës, ku kemi humbur pikë të rëndësishme, nëse i referohemi lojës që kemi zhvilluar. Janë këto arsye që mua më bëjnë optimist dhe them se Lushnja i ka të gjitha mundësitë për të bërë kthesën. Jemi të shkëputur disi nga 2 rivalët tanë në luftën për mbijetesë, por nuk mund të dorëzohemi, pasi ka përpara edhe shumë kampionat. Jam i bindur se, nëse gjejmë fitoren e parë me trajnerin Dedja, në vazhdim do të kemi qëndrueshmëri në rezultate. Prandaj po përgatitemi që në Kukës të mos shkojmë për një ndeshje formale. Përkundrazi, do të kërkojmë rezultatin, nuk ka ndeshje të pakalueshme, nëse skuadra jep më të mirën e saj në fushën e lojës. Takimin e parë në Lushnjë kuksianët e morën me pak fat dhe me një gjykim të njëanshëm në favor të tyre. Do të pretendojmë pikë në fushën e Kukësit, nuk kemi çfarë të humbasim. Gjatë gjithë kësaj jave duhet të mundohemi të korrigjohemi në ato aspekte ku kemi gabuar më shumë. Trajneri po mundohet të na mbajë në gjendjen e duhur psikologjike, pasi kuptohet që rezultatet e njëpasnjëshme negative rëndojnë. Nëse ekipi do të dijë të veprojë me profesionalizëm në fushë, rezultatet nuk do të mungojnë”, – ka përfunduar Gava, autor i një goli për Lushnjën.
Ndeshja e radhës është nga më të vështirat për myzeqarët, por skuadra e drejtuar nga trajneri Dedja do të përpiqet për më të mirën në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit.