Trajneri i Milanit ka frikë nga euforia e skuadrës: Fitorja na lejon të punojmë më qetë. E kam provuar shpesh fundin, duhet të vazhdojmë
Ai është trajner i Milanit, skuadër me të cilën ka fituar gjithçka si lojtar, por e kupton më mirë se kurrë që në stol do të duhet të “hajë bar” më shumë nga sa kur ishte vetë protagonist i fushës. Gatuzo e vlerësoi skuadrën e tij pas fitores kundër Interit, por paralajmëroi se nuk duhet menduar që gjithçka u zgjidh me kaq.
Ndjesitë e para
“Kjo ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, duhet të falenderoj djemtë. Isha i bindur se do t’ia dilnim. Jam më shumë se i lumtur. Çfarë duhet ndryshuar tani? Si futbollist kam fituar, tani duhet të vazhdoj si trajner, por janë ende vitet e para të miat. E dija se çfarë do të merrja përsipër, kur vendosa të bëhem trajner i Milanit. Po vuajmë shumë, por mendoj se mund t’ia dalim me shumë punë. Gjatë javës ne punojmë shumë, skuadra ka cilësi. Sot (dje) luajtëm mirë dhe ditëm si të luftonim në çdo duel me kundërshtarët”, – u shpreh tekniku pas takimit.
Vuajtja
Gatuzo nuk nxitohet për ecurinë sezonale, edhe pse mposhti Interin, një skuadër e cila sivjet ka qenë thuajse perfekte. “Do të vuajmë prapë, sepse nëse mendojmë se me këtë fitore kemi zgjidhur gjithçka, do të ishim budallenj. Kjo fitore na lejon të punojmë me më shumë qetësi. Unë dua të fitoj, kjo është pjesë e ADN-së sime dhe shpresoj që këta djem të tregojnë atë që shfaqin çdo ditë në stërvitje. Duhet të shohim përpara. Tani do të pushojmë pak dhe shpresoj se do të kemi energji për vazhduar me këtë ego”.
Fundi
“Që kur kam nisur punën si trajner, e kam prekur shumë herë fundin. I kam provuar të gjitha. Tani i kemi të gjitha, kemi një klub të përpiktë me angazhimet e veta, me planin që ka, në qendrën tonë stërvitore nuk mungon asgjë, kështu që më takon mua të nxjerr më të mirën nga skuadra”, – shtoi tekniku i “Djallit”.
Problemi psikologjik
I pyetur nëse Milani ka ndonjë problem psikologjik, Gatuzo u përgjigj: “Tani duhet të marrim maksimumin nga djemtë. Nuk ka shumë diferencë ndërmjet ndeshjes me Interin dhe asaj me Atalantën. Ndoshta disa do të më marrin për budalla, por mos harroni se kur pësojmë gol futemi në vështirësi dhe kjo vlen për çdo takim”.