Adriano Galiani kthehet të flasë për Milanin dhe ka lëvdata për Xhenaro Gatuzon, personazhi që ka kthyer entuziazmin në krahun kuqezi të Milanos: “Duhet të ndeshemi me Juven e Napolin, dy pretendentet e vetme për titull. Nuk e di a do jemi ne arbitrat e titullit, por skuadra po tregon karakterin e trajnerit – tha dje ish-administratori i deleguar kuqezi, tashmë senator. – Rino është treguar shumë i zoti edhe teknikisht, por karakteri dhe grinta që ka tani Milani buron nga trajneri, që e ka transformuar totalisht”.
Galiani ka lavdëruar edhe trajnerin e Napolit Mauricio Sarri: “Ai e di që e vlerësoj shumë, isha shumë pranë transferimit të tij te Milani, por futbolli shpesh është i çuditshëm, fati është si me disa femra, që u shkon shumë pranë dhe kur dukesh se ua ke fituar zemrën, dështon. Sarri është trajner fantastik, skuadrat e tij luajnë shumë mirë futboll”.