Presidenti i FSHF-së, Armand Duka mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të programit “Future Leaders in Football” që u zhvillua në Shqipëri dhe u organizua nga Federata Gjermane e Futbollit, në bashkëpunim me GIZ (German Society for International Cooperation) dhe Ministrinë Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).
Programi ka në fokus formimin e lidereve të reja të ardhshme vajza nga mosha 18-29 vjeçe, jo vetëm nga Shqipëria, por nga i gjithë rajoni i Ballkanit (Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi, Slloveni) si edhe Paraguai e Gjermania.
Gjatë këtij eventi Presidenti Duka zhvilloi edhe një bashkëbisedim me vajzat pjesëmarrëse, ku falënderoi organizatorët që bënë të mundur zhvillimin e këtij programi në vendin tonë dhe vlerësoi lidershipin e vajzave, qoftë edhe në FSHF apo futbollin shqiptar.
“Më lejoni t’ju falënderoj për organizimin e këtij trajnimi në Shqipëri. Falënderoj Federatën Gjermane të Futbollit, presidentin e saj, GIZ, lektorët dhe falënderoj më shumë pjesëmarrëset, vajzat që kanë qenë pjesëmarrëse në këtë javë trajnimi në Shqipëri. Ky është një trajnim shumë i rëndësishëm, filloi në një kohë të vështirë në pandemi për të vijuar në Katar dhe fatmirësisht erdhi një Shqipëri, jo vetëm për vajzat dhe gratë e Shqipërisë, por për vajzat e futbollit të rajonit.
Padyshim që besoj tek lidershipi i vajzave dhe i grave dhe këtë nuk e them me fjalë por me vepra, sepse në futbollin tonë, qoftë në institucionin e Federatës së Futbollit, por qoftë në përgjithësi në futboll, kemi shumë vajza në poste drejtuese. Vajzat që janë këtu janë drejtuese, përfshirë Evian, përfshirë Anilën, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Federatës”-, tha Presidenti Duka, teksa iu bëri thirrje që të kenë besim dhe të punojnë sa më shumë për të arritur synimet e tyre.