“Futuni në provim për gjuhën shqipe”! Për faqe të zezë, nuk është as Moldavia dhe as Ishujt Faroe, Shqipërinë po e mban peng…BAJRAM BEGAJ

Nuk është as Moldavia dhe as Ishujt Faroe që po e mbajnë peng Shqipërinë për sigurimin matematikor në Europianin e Gjermanisë. Të ardhmen e Kombëtares së Shqipërisë po e mban peng Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Duke ditur faktin se nuk ka shumë peshë në postin e tij, Begaj zgjedh gjithmonë që të vesh uniformën e kundërshtarit dhe të luajë kundër kuqezinjëve, i vetmi moment ku ndihet i rëndësishëm. E faktikisht, këtë herë po rezulton shumë më i fortë se Moldavia apo Ishujt Faroe, është thuajse në të njëjtën lartësi si Çekia dhe Polonia, thuajse njësoj…

Megjithatë, kjo sjellje e turpshme e Begajt po i kushton shumë Kombëtares. Ai ka refuzuar dekretimin e amendimeve të Ligjit për Shtetësinë, e cila do t’i shërbente shumë kuqezinjëve për lehtësinë e procedurave në marrjen e pashaportës për talentet shqiptarë që kanë lindur dhe jetojnë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë.

Besojeni ose jo, por në këtë amendament ishte edhe heqja e provimit të gjuhës shqipe. Profesori i gjuhës shqipe, Bajram Begaj, kërkon që lojtarë si Asani, Seferi, Muja, Daku, t’i nënshtrohen një testi të gjuhës shqipe përpara se të vazhdojnë procedurat e tjera për t’iu bashkuar Kombëtares. Sigurisht, i gjithë ky problem do të zgjidhet me kalimin e kohës, por pyetja është: “Bajram, çfarë po fiton?”.

Ndoshta pak vëmendje, për një kohë të shkurtër, mesa duket Presidenti ka nevojë që dritat e stadiumit të drejtohen edhe drejt tij. Presidenti kërkon të ndihet pak President, faturën e paguajnë sërish sportdashësit shqiptarë dhe Kombëtarja Shqiptare, e të gjitha grup moshave. E meqë Shqipëria nuk po gjen dot kundërshtarë të nivelit të saj në fushën e blertë duke shtypur polakët dhe çekët, Bajram Begaj mendon se është i duhuri për ta ndaluar. A do t’ia dalë vallë? /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *